Në burgjet e vendit aktualisht ka 15 të dënuar dhe 1 i paraburgosur për terrorizmin. Ata mbahen nën mbikëqyrje të veçantë për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm e radikalizimin. Ky proces është monitoruar edhe nga ana e OSBE-së në Shqipëri. Numri i të dënuarve për terrorizëm pritet të rritet për shkak se autoritetet po përgatiten të kthejnë shtetas të tjerë të mbetur në zonat e luftës.
“Ka një axhendë bashkëpunimi në rajon, kryesisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Rreth 1000 shtetas të Evropës Juglindore, nga të cilët mbi 100 shqiptarë, iu bashkuan teatrit të luftës në Siri dhe Irak, duke iu atashuar ISIS-it dhe Al Nusrës. Aktualisht mbi 500 prej tyre janë në proces kthimi. Shqipëria është në përfundim të planit të veprimit për pjesën e anëtarëve që pret të kthehen dhe të riintegrohen”, tha Agron Sojati, drejtor i qendrës kundër ekstremizmit të dhunshëm
Prezenca e OSBE-së premton vijimin e mbështetjes kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Rreth një muaj më parë, një burrë goditi me thikë pesë persona në qendër të Londrës, duke vrarë dy prej tyre. Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin. Shumë shpejt rezultoi se sulmuesi kishte qenë i dënuar për krime terroriste më parë, dhe kishte qenë në burg. Ky incident na rikujton se sa e rëndësishme është lufta kundër pikëpamjeve radikale në burgje. Gjithashtu, na tregon se sa shumë mbetet ende për t’u bërë në këtë drejtim”, u shpreh Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së
Projekti është mbështetur financiarisht edhe nga qeveritë austriake, suedeze, gjermane dhe italiane.