Drejtuesja e shërbimit të Inteligjencës Epidemiologjike, Eugena Tomini, foli në Euronews Albania për qasjen që po ndjekin strukturat shëndetësore për testimi e rasteve të dyshuara me COVID-19.
Ajo tha se strukturat po kryejnë me rigorozitet të gjithë procedurat e përpiluara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Zonja Tomini garantoi qytetarët se nuk është neglizhuar asnjë rast i dyshuar me COVID-19, ndërsa shtoi se kontrolli po vijon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Për gjithë kësaj kohe ne kemi theksuar që testimi i rasteve të dyshuara nuk do të mungojë dhe nuk do të përkufizohet në një moshë të caktuar ose në një fashë të caktuar risku. Ne nuk përjashtojmë moshat pediatrike apo moshat aktive, që janë moshat 25-45 apo 50 vjeç. Survejanca për rastet e COVID-19 është në mbarë Republikën, dhe ndërkohë, në secilën moshë në bazë të përkufizimit të rastit. Çdo rast i dyshuar me COVID-19 testohet pranë laboratorit të virologjisë në ISHP. Nuk devijohet asnjë rast. Këto janë rekomandime të OBSh-së dhe të ndjekura rigorozisht nga ne. Ju garantoj se nuk është neglizhuar asnjë rast”, tha Tomini.
Specialistja më tej foli edhe për testimin e personave të prekur. Sipas saj, nëse testimi i parë i pacientit me COVID-19 del negativ, ky i fundit i nënshtrohet edhe testit të dytë pas 14 ditësh që nga dita e konfirmimit.
“Gati 85 për qind e rasteve që mund ta kalojnë sëmundjen janë asimptomatikë. Fakti është se virusi ndodhet kudo. Predispozita është për të testuar të gjitha rastet që shfaqin shenja klinike Duke parë ecurinë klinike, gjykohet që brenda 14 ditësh të bëhet një testim i dytë”, shtoi ajo.
E pyetur nëse spitali “Shefqet Ndroqi” në Tiranë do të kthehet në spital COVID-19, shefja e Inteligjencës Epidemiologjike, Eugena Tomini dha këtë përgjigje: “Absolutisht në do të vijojmë me të gjitha skenarët e mundshme. Eshte pjesë e skenarëve të parapërgatitura”