Policia ka vënë në pranga një 27-vjeçar, pasi dyshohet se është autor i të paktën 8 vjedhjeve të kryera në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
I dyshuari, Astrit Thaçi, i cili i kryente vjedhjet me dhunë dhe armë, rezulton me precedent të mëparshëm, pasi është dënuar në Itali po për të njëjtën vepër me 7 vite burg.
Nga hetimet e policisë, deri tani janë dokumentuar me prova se, 27-vjeçari ka kryer 8 vjedhje, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Në momentin e arrestimit të tij në Tiranë, policia i sekuestroi armën e zjarrit dhe 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Astrit Thaçi, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durrës, rezulton i skeduar nga policia dhe për shpërndarje të narkotikëve.
Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, një person, në kërcënimin e armës, kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë. Ngritja e grupit hetimor për këtë raste, çoi në zbulimin e 27-vjeçarit të arrestuar.
Vjedhjet e dokumentuara nga policia kanë ndodhur nga data 8 shkurt, ku në lagjen 12 në Durrës grabiti një filial banke të nivelit të dytë dhe deri më datë 15 shkurt ku vjedhja e fundit ishte një argjendari në Elbasan.