Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.
Dekretin, kreu i shtetit e dërgoi në Kuvendin e Kosovës. Sipas Kushtetutës, prej ditës së sotme nis edhe afati kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.
Gjatë javës së kaluar, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë publikuar ofertat e tyre.
Të dyja partitë deklaruan se nuk mund të lëvizin nga pikat që kishin prezantuar me shkrim, edhe pse shprehën vullnetin që negociatat të vazhdojnë.
Më herët Lëvizja Vetëvendosje dërgoi zyrtarisht emrin e Albin Kurtit si mandatar për kryeministër të Qeverisë së re të Kosovës.
Burime për Euronews Albania bënë me dije se ky veprim i Vetëvendosjes erdhi pa marrëveshje paraprake me LDK.
Që nga tetori, për më shumë se 100 ditë janë zhvilluar takime të njëpasnjëshme me liderin e Lidhjes Demokratike te Kosovës, në përpjekje për krijimin e qeverisë së re, por pa asnjë rezultat.
Korrespondenti i Euronews Albania, Fatlum Berisha theksoi se kjo lëvizje e Vetëvendosjes shihet si hapi i parë, që pritet të zgjidhë ngërçin për formimin e qeverisë së re.
Letra e Vetëvendosjes me emrin e mandatarit të qeverisë ka shtuar shpresat, që palët politike mund të gjejnë zgjidhjen e shumëpritur nga shqiptarët e Kosovës.
Kosova është ende pa qeveri të re afro 100 ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit që nxorën fituese lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.