Presidenti Hashim Thaçi u shpreh se qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë duke pritur që të themelohen institucionet.
Prandaj, sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje duhet të pranojë ose të refuzojë të themelojë qeverinë e re, bazuar në rezultatet e 6 tetorit, shkruan KosovaPress.
Pas takimit me ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, z. Hashim Thaçi tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyllë me sukses procesin e 6 tetorit.
Thaçi mes tjerash tha se i mbetet kryetarit të partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit që ta bëjë hapin, ndryshe duhet të deklarojë refuzimin si mandatar për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke e parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe duke menduar që do ta pranojë, sepse është një rregull i pashkruar, e kam nënshkruar atë ditë nominimin e z.Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës. Ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe z.Kurti do të reflektojë, në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet të deklarojë refuzimin”, – tha z.Thaçi.
Për këtë ai u shpreh i bindur që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës, dhe ligjet.
“Në çdo veprim timin do ta respektoj në tërësi kushtetutën dhe ligjet. Respektoj shumë opinionet e ekspertëve, por unë nuk shkel as kushtetutë as ligj”, – u shpreh ai.
William Walker: Formoni qeverinë, jepni pushim presidentit se është thinjur
Gjatë takimit me Presidentin Hashim Thaçi, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker bëri thirrje që të formohen sa më shpejt institucionet e vendit.
“Kosova ka nevojë për një qeveri të re, ju keni humbur më shumë së 100 ditë dhe shpresoj që nuk do të nevojitet më shumë kohë për ta formuar Qeverinë në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e duhur. Dhe jepuni këtyre burrave një pushim, Ai është bërë goxha i qetë, i thinjur, mirëpo edhe me një pamje më të hijshme, kështu që jepuni një pushim”, – tha z.Walker duke iu referuar presidentit Thaçi
Presidenti Thaçi nga ana e tij e falënderoi z. Walker për gjithçka që po bën për Kosovën, edhe pse ndonjëherë ai është kritik ndaj atyre në politikë.
“Edhe një herë faleminderit shumë ambasadorit Walker për gjithçka që po bën për Kosovën. Nganjëherë është edhe kritik ndaj nesh që jemi në politikë, por gjithmonë këto kritika kanë qenë të mirëseardhura për t’u përmirësuar, edhe unë madje personalisht që edhe kur na ka kritikuar e kemi dashur, e kemi respektuar punën dhe angazhimin e Walker, sepse dëshiron që ta shohë Kosovën sa më shpejt përpara dhe të jetë e konsoliduar”, – tha z. Thaçi.