Nga Brukseli, ku merr pjesë në takimin informal BE-Ballkan të së dielës, Presidenti Thaçi tregon në një interviste ekskluzive për Euronews Albania se marrëveshjet e fundit me Serbinë janë legjitime dhe janë nënshkruar mes dy shteteve, në përputhje me ligjet e vendit.
Ernest Bunguri: Në Mynih u nënshkruan dy letra të shprehjes së interesit që mund të kthehen më në marrëveshje me Serbinë, ndërkohë që qeveria e re në Kosovë thotë se ata nuk janë konsultuar e nuk kanë qenë transparente. Kur mendoni që do të hyjnë në fuqi?
Hashim Thaçi, President i Kosovës – E para që dua të them është që po bëhen hapa të rëndësishëm në procesin e zhvillimit ekonomik, në një angazhim të përbashkët të botës perëndimore, por të udhëhequr nga lidershipi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Trump, nga sekretari Pompeo por dhe nga roli i rëndësishëm the thelbësor në këtë proces të të ngarkuarit special të Shtëpisë së Bardhë e Presidentit Trumb, Ambasadorit Grenell.
Marrëveshjet që janë nënshkruar në Mynih dy ditë më parë janë marrëveshje të diskutuara më herët prej autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës. Është një marrëveshje ndër-shtetërore Kosovë-Serbi që hap një mundësi për funsksionalizimin e linjës hekurudhore mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë dhe ndërtimin e autostradës së re që lidh Kosovën me Serbinë, këto me investime ndërkombëtare.
Autoritetet që e kanë negociuar këtë proces janë legjitime, janë zyrtare, janë të qeverisë së kaluar dhe janë zyrtarë të qeverisë aktuale, pra kanë një bazë dhe një validitet të plotë në kuptimin e legjitimitetit dhe legalitetit.
Ernest Bunguri: Ndërkohë, me qeverinë e re së bashku do të duhet të punoni për dialogun me Serbinë, a do të ketë dakordësi me këtë qeveri për një qëndrim të përbashkët apo do të vazhdojë si me qeverinë e vjetër me qëndrime të ndryshme.
Hashim Thaçi – Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Duhet nga të gjithë e kushdo që vjen në pushtet të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Orientimi diplomatik i shtetit të Kosovës është shumë i qartë, përcaktohet me Kushtetutën e Kosovës, por dhe duhet të jetë në vazhdimësi parimor. Nuk do të thotë që gjithçka fillohet nga zero me ndryshimin e ndonjë lideri në ndonjë mekanizëm të caktuar të institucioneve të vendit. Orientimi i Kosovës është shumë i qartë, anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kultivimi i përjetshëm i marrëdhënieve mes Shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj dhe hapat që do të ndërmarr dhe të tjerë që do të vijnë do të jenë në orientimin euro-atlantik, dhe çdo veprim që do ta ndërmarrim do të jetë në koordinim me Shtetet e Bashkuara para së gjithash, dhe pastaj edhe me vendet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën.
Ernest Bunguri: Ju për një kohë të gjatë keni qenë të angazhuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në dialog, por po shihet se me amerikanët janë nënshkruar disa marrëveshje të paktën në dukje më të rëndësishme. A do të vazhdojë ky dialog më në Bruksel apo do të zhvendoset në Berlin a Mynih.
Hashim Thaçi – Askush nuk mund të mohojë arritjet e dialogut të Brukselit sepse së paku me marrëveshjet e Brukselit Kosova ka ri-integruar pjesën territoriale të veriut dhe ka vënë nën administrim të plotë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e veta. Njerëzit atje tash dalin dhe marrin pjesë në proceset zgjedhore qoftë lokale apo të zgjedhjeve të përgjithshme, janë pjesë e Parlamentit të Kosovës, kanë zgjedhur liderët e tyre legjitim, ka lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, kemi doganën në pikat 1 dhe 31 ku është policia e Kosovës. Pra kemi respektimin dhe mbrojtjen e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Por nuk duhet harruar dhe integrimi i komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë. Pra është një progres i jashtëzakonshëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm që është zhvilluar.
Tash është një proces gjithashtu shumë i rëndësishëm por po dëshmohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ato që mund të lëvizin gjërat përpara. Janë shumë më të shpejta e shumë më të vendosura që të ndodhë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi. Marrëveshjet që i bëri Ambasadori Grenell në dy-tre muajt e fundit janë marrëveshje që të tjerët nuk kanë pasur kurajo për 20 vite të ulen dhe diskutojnë për t’i zgjidhur e lëre më që t’i zgjidhin në mënyrën se si kanë kanë shkuar. Prandaj roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm. Unë uroj që ky rol të mbështetet e dhe nga Bashkimi Evropian, të ketë një koordinim edhe më të plotë e në veçanti të ketë unitet mes vendeve të Bashkimit Evropian.
Unë kam biseduar me zotin Borell, dhe do të diskutoj dhe këtu në Bruksel për hapat që do të ndërmarrë edhe më tutje Brukseli. Por dua të them se edhe nëse do të ketë të ngarkuar special të Bashkimit Evropian për Kosovën, ritheksoj se vetëm uniteti evropian mund të shtyjë përpara procesin, dhe jo një individ i vetëm. Sepse edhe pse mund të jetë i ngarkuar special, nënkuptoni ulje e interesimit për Kosovën në vend që me këtë çështje të merret direkt zoti Borrell.
Por, ajo që dua të them është kjo: Bashkimi Evropian definitivisht duhet të marrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën sepse Kosova ndjehet e mashtruar dhe e ndëshkuar nga ky mosveprim i Bashkimit Evropian. Është padrejtësi historike, është gabim strategjik. Kosova ka pesë vite që ka zbatuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ernest Bunguri: Kur flasim për unitetin evropian, sërish, a do të ketë unitet në Kosovë ?
Hashim Thaçi – Kosova deri këtu ka ardhur me unitetin politik, institucional e shoqëror. Ishim në unitet gjatë luftës, në unitet në Rambuje ku nënshkruam marrëveshjen e fituam mbështetjen ndërkombëtare. Ndodhën bombardimet, e fituam lirinë. Ishim në unitet në procesin e negociatave për statusin politik në Vjenë 2005-2008, fituam pavarësinë e Kosovës. Ishim në unitet në punën që bëmë për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, e përmbyllëm dhe atë proces në vitin 2012. Ishim në unitet në arritjen e marrëveshjes në Bruksel në vitin 2013 dhe e ri-integruam veriun e Kosovës në territorin e Kosovës. Prandaj, e theksoj, ne duhet të bashkohemi me të gjithë, por duhet të kemi gjithmonë parasysh se kush na ka mbështetur gjithmonë dhe sinqerisht, e ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht, synimi ynë është që të jemi sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian por edhe ata duhet të na trajtojnë në mënyrë të barabartë, dhe jo me standarde të dyfishta, jo me paragjykime dhe jo me veprime diskriminuese. Përderisa Bashkimi Evropian po vonohet në Kosovë por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor, atëherë ideologji të tjera jo-perëndimore e shfrytëzojnë këtë vakum. Për fat të mirë, Kosova dhe qytetarët e saj vazhdojnë të mbeten qytetarët më pro-evropianë dhe më pro-amerikanë në botë, por ajo që më shqetëson mua është rënia graduale e reputacionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Sepse është zhgënjim i madh që nuk po ndodh liberalizimi i vizave.
Pra, unë si President i vendit do të vazhdoj të luaj rolin tim të unitetit politik dhe qytetar në mënyrë që të lëvizim përpara në një koordinim ndër-institucional, por edhe në një koordinim të pozitës dhe opozitës, që është çelësi i suksesit.
Ernest Bunguri: Zoti Thaçi, pika më e nxehtë e marrëveshjeve dhe dialogut me Serbinë është përfolja e shkëmbimit të territoreve. Si qëndron e vërteta, a do të ketë shkëmbim territoresh me Serbinë nga dialogu?
Hashim Thaçi – E vërteta është që unë synoj dhe mbështetës plotësisht bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Republikës së Kosovës në tërësinë aktuale territoriale të Republikës së Kosovës, të pacenuar dhe të padëmtuar në asnjë centimetër të territorit të Republikës së Kosovës.
Ernest Bunguri: Pra, ju e kundërshtoni dhënien Serbisë të ndonjë territori të Kosovës?
Hashim Thaçi – Unë jam në favor që Preshevë, Medvegjë e Bujanovc t’i bashkëngjiten territorit të Kosovës ndërsa harta e Kosovës të mbetet e paprekshme.