Emanuela Zaimi, themeluese e fondacionit “Down Syndrome Albania” i bën apel qeverisë që në planin e masave për situatën e krijuar nga COVID-19, të përfshijë dhe organizatat e shoqërisë civile.
Znj. Zaimi duke folur në Ilva Now, deri tani ka dëgjuar të ofrohet ndihmë vetëm për biznesin ndërkohë që dhe organizatat e shoqërisë civile, ashtu si biznesi janë tatimpaguese.
“I kemi dërguar letër, Kryeministrit dhe znj. Manastirliu, por nuk kemi pasur një përgjigje zyrtare deri tani. Ne kërkojmë që brenda mundësisë që ka shteti, që ashtu siç po merr masa për çdo sektor, të marrë dhe për shoqërinë civile”, deklaron ajo.
Themeluesja e fondacionit “Down Syndrome Albania” thotë se deri tani janë bërë bashkë 50 organizata të cilat kërkojnë sensibilizimin e strukturave të shtetit.
Përveç rolit të rëndësishëm të shoqërisë civile, znj. Zaimi thotë se ky sektor ka të punësuar më shumë se 9 mijë persona dhe për këtë arsye kërkohen disa masa lehtësuese.
Ndërkohë duke folur për COVID-19, ajo u shpreh se, personat me sindromën down, janë njëlloj të rrezikuar si të gjithë personat e tjerë, por ama kanë veçorinë që mund të rikuperohen me vështirësi për shkak të disa veçorive.
Pavarësisht kësaj, në vendin tonë tha znj. Zaimi nuk ka ende asnjë rast të raportuar të personave me sindromën down të prekur nga coronavirus. Ndërsa në botë, ende nuk ka asnjë rast fatal të raportuar.