Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin e vendit për të monitoruar zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, masa këto, të cilat synojnë të sjellin pengimin e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët më pas janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Gjithashtu si rezultat i kontrolleve të ushtruara dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në numrat 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 270 shtetas, të cilët u konstatuan duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa asnjë autorizim zyrtar.
Në qytetin e Pogradecit gjatë kontrolleve të ushtruara për personat e vetëkarantinuar, janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasja D. K., 32 vjeçe dhe I. M., 26 vjeç, të cilët ishin kthyer nga një qytet i Maqedonisë së Veriut dhe duhet të ishin vetëkarantinuar, por janë konstatuar jashtë ambienteve të banesës.
Kontrolleve dhe masa strikte nuk i kanë shpëtuar as njësitë tregtare. Siç bën me dije Policia, nga kontrollet janë konstatuar pesë njësi tregtare që nuk kanë mbyllur aktivitetin në orarin e përcaktuar nga qeveria shqiptare. Si rezultat i kësaj, janë ndëshkuar për mosrepsektim të afateve kohore 5 administratorët e subjekteve tregtare.