Tirana mori vendin e parë të renditjes pasi mposhti Kukësin 2-1. Një ndeshje fantastike që pa fillimisht kuksianet të kalonin në avantazh, pasi shënuan pas një devijimi të pafat të Vangjelit, por Tirana u përgjigj me Bathën dhe Torasen duke përmbysur shifrat. Pavarësisht suksesit, trajneri Egbo kërkon ta mbajë skuadrën me këmbë në tokë.
“Jemi thjesht në vendin e parë, ka 13-14 ndeshje deri në fund. Mos prisnin të them unë që Tirana është fituese, kemi fituar vetëm një ndeshje sot”, tha trajneri i Tiranës.
Për Kukësin kjo është ndeshja e dytë radhazi që shpërdoron avantazhin në fund. Zhgënjimi në fytyrën e trajnerit Duro ishte i madh.
“Për 5 minuta u rrokullis çdo gjë, i pranon futbolli situata të tilla”, tha Duro.
I zhgënjyer ishte edhe Presidenti i Kukësit, Safet Gjici ndërsa krejt e kundërta ndodh më atë të Tiranës Refik Halili.
“Ekipi neglizhoi shumë minutat e fundit, ka dy ndeshje që minuat e fundit nuk jepet maksimumi”, tha Presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
Tirana nuk ka shumë kohë për të festuar pasi duhet të nisë menjëherë përgatitjet për derbin kundër Partizanit.