Në seancën e sotme gjyqësore në ngarkim të Arber Çekajt, pritej që mbrojtja të thoshte fjalën e saj për të dhe dy të akuzuarit e tjerë për trafikimin e 613 kg kokainë nga Kolumbia drejt Portit të Durrësit, por kjo seancë u shoqërua me tone dhe debate të forta.
Administratori i kompanisë “Arbi Garden” ka shprehur kundërshtitë e tij për prokurorin e çështjes. Gazetari i “EuronewsAlbania”, Xhevahir Zhabina ka ndjekur nga afër seancën ndaj Çekajt, ku renditi edhe arsyet se pse Çekaj ka kërkuar largimin e prokurorit Edvin Kondili.
“Aktualisht debati po vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, aty ku Arbër Çekaj bashkë me dy persona të tjetrë akuzohen për trafikun e 613 kg kokainë nga Kolumbia drejt Portit të Durrësit, Arbër Çekaj ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, për të cilin kërkoi përjashtimin e tij, pasi sipas tij, ai i ka manipuluar provat në ngarkim të tij dhe dy personave të tjerë. Sipas Çekaj, prokurori me të e ka personale për shkak të mbiemrit që ai ka pasur, mbiemrin Kuliçaj, dhe sipas Çekaj ai i urren tropojanët dhe në një farë mënyre i do vlonjatët.
Ai kërkon përjashtimin e këtij prokurori dhe për këtë ka bërë një kërkesë në KLP nga çështja e tij dhe caktimin e një prokurori, qoftë edhe të huaj nëse nuk gjendet një shqiptar. Me zhvillimin e sotëm nuk mund të themi se do të këtë një lexim të mbrojtjes”-tha gazetari Zhabina.
Arbër Çekaj i tha Gjykatës Speciale se ai nuk do ta vazhdojë me këtë prokuror duke kërkuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë largimin e tij dhe nëse nuk gjendet një tjetër në SPAK të vijë një i huaj.
42-vjeçari që është nën hetim hodhi akuza të forta ndaj prokurorit Edvin Kondili. Ai shtoi se prokurori ka mbrojtur grupe të ndryshme kriminale dhe e vërteta do të dalë shumë shpejt për publikun.
Për këto shkaqe ai i kërkoi gjykatës pezullimin e këtij gjykimi derisa të ketë një prokuror tjetër. Pas debateve të forta dhe akuzave mes palëve, seanca në ngarkim të Arbër Çekaj u shty pasi mbrojtja tha se nuk ishte gati të vijojë betejën për mbrojtjen e klientit.