English

Trump duhej të kishte pasur më shumë besim te aftësia e SHBA-ve për t’i bërë ballë virusit. Ndalimi i udhëtimeve me BE-në nuk zgjidh gjë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Teksa COVID-19 bëhet problem botëror, shumica e njerëzve duken shumë nervozë për të kuptuar se virusi po shfaq motive të ngjashme me një epidemi gripi, ndërkohë që shtohen njerëzit e prekur në çdo vend të botës. Sipas motiveve që janë vënë re deri tani, epidemia mund të marrë fund nëse një organizatë ndërkombëtare merr përsipër të bashkërendojë punën e një force botërore, dhe të vënë në zbatim protokollet që përdoren për kontrollimin e gripit, që nga edukimi i publikut për higjienën personale, vendosja në karantinë e njerëzve të sëmurë, qoftë në shtëpi, qoftë në institucione, si dhe krijimi i një rrjeti për mbikëqyrjen e gripit që t’u kërkojë klinikave dhe spitaleve të raportojnë pacientët me simptoma të ngjashme me gripin në mënyrë që t’u bëhen analiza të mëtejshme, etj. Kjo duhet të bëhet në shumicën e vendeve, sa më shpejt e të jetë e mundur.

- Advertisement -

Në fund të janarit, dy rastet e para në Gjermani e morën virusin nga një koleg që kishte ardhur me avion që nga Shangai për t’iu bashkuar kompanisë së tyre. Dy kolegë të tjerë, të cilët nuk kishin kontaktuar fare me vizitorin nga Kina, kishin dalë pozitive pak më vonë. Deri tani është treguar se kalimi i virusit bëhet shumë lehtë, dhe ngjan shumë me atë të gripit. Ngjashmëria e simptomave të pacientëve gjermanë me gripin e zakonshëm nuk ka shkuar pa rënë në sy.

Nga Singapori dhe Japonia kanë ardhur prova domethënëse, në një shkallë më të madhe, gjatë muajit shkurt. Më 29 shkurt, Singapori raportoi 93 raste, 5 grupe pacientësh që kishin infektuar njëri-tjetrin, si dhe një numër të madh të tjerësh, të cilëve nuk u dihet burimi i infeksionit. Kjo tregoi se virusi mund të përhapej shumë lehtë në komunitet, njësoj si gripi. Dhe ashtu si në rastet e Gjermanisë, pacientët në Singapor kishin simptoma të ngjashme me gripin, pa ndërlikime të rënda.

Përveç rasteve në anije, Japonia zbuloi rreth 250 raste në qytete dhe prefektura të ndryshme, brenda muajit shkurt. Shumica e njerëzve të prekur kishin vetëm simptoma gripi, por gjashtë pacientë të moshuar vdiqën nga pneumonia. Pra, edhe në Japoni, virusi po shfaqej si një epidemi e ngjashme me gripin, e cila vë në rrezik njerëzit e moshuar.

Prandaj, vendet më të mëdha në botë duhet të vënë në zbatim rregullat që përdoren për gripin, dhe të lëvizin bashkërisht në të njëjtin drejtim për ta zgjidhur më shpejt pandeminë.

Një artikull i botuar më 18 shkurt te “British Medical Journal” dha prova duke krahasuar “Normën së Rasteve Fatale” (CFR), që mat raportin midis vdekjeve dhe personave të infektuar brenda një kohe të caktuar, duke matur kështu ashpërsinë e sëmundjes. SARS (2003) vriste rreth 10% të atyre që infektonte. MERS (2015) e kishte CFR-në 34%. COVID-19 e ka pasur 2%. Madje, një studim i përbashkët midis Universitetit të Hong Kongut dhe Universitetit të Harvardit arriti në përfundimin se CFR-ja e COVID-19 ishte rreth 1.4%.

[cite_header=SARS (2003) vriste rreth 10% të atyre që infektonte. MERS (2015) e kishte CFR-në 34%. COVID-19 e ka pasur 2%. Madje¸ një studim i përbashkët midis Universitetit të Hong Kongut dhe Universitetit të Harvardit arriti në përfundimin se CFR-ja e COVID-19 ishte rreth 1.4%.
cite_author=Pingyuan “Edward” Lu
cite_description=Drejtor i Zyrës për Shëndet Publik për OJW-në HSVG Mission.]

COVID-19 duket se shkakton vetëm simptoma të ngjashme me gripin. Nuk është si super-viruset SARS apo MERS. Numri i frikshëm i vdekjeve në Kinë mund të jetë shkaktuar si rezultat i bllokimit të sistemit shëndetësor, për shkak se në spital është dërguar një numër i madh pacientësh në një kohë shumë të shkurtër. Ky është skenari që kemi parë gjatë pandemive të gripit. Kjo do të thotë që vendet me numër të lartë të vdekurish, si Italia e Irani, kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare.

Edhe pse COVID-19 e ka CFR-në më të ulët se SARS e MERS, shumica e ekspertëve janë dakord se CFR-ja e gripit sezonal është vetëm 0.1%. Pra, coronavirusi me 1.4% duhet të merret seriozisht dhe duhen zbatuar strategjitë e duhura për ta luftuar.

Meqenëse ka natyrë të ngjashme me të gripit, përgjigjja botërore ndaj COVID-19 duhet të ndryshojë, dhe nga izolimi të synojë pakësimin e rasteve. Për shembull, të ndihmohen pleqtë dhe njerëzit me probleme shëndetësore e të mos lejohen të ekspozohen. Nuk duhen çuar burimet dëm duke bërë kërkime me infeksione pa simptoma. Duhet të sigurohemi që institucionet mjekësore janë gati të përballen me një numër të madh pacientësh. Duhet t’u kujtojmë njerëzve të shëndetshëm që të lajnë duart më shpesh, dhe të sëmurëve t’u themi që të rrinë në shtëpi. Veç kësaj, përvoja e fundit me Tajvanin tregoi se mbajtja e maskave është masë e dobishme.

[
cite_header=Nëse SHBA-të kanë nevojë të marrin masa të tjera shtesë¸ më kuptim do të kishte po të ndalonte udhëtimet me Italinë¸ ndërkohë që vetë Italia ka bllokuar lëvizjet në të gjithë vendin¸ pa bllokuar edhe 26 vendet e tjera të Europës.
cite_author=Pingyuan “Edward” Lu
cite_description=Drejtor i Zyrës për Shëndet Publik për OJW-në HSVG Mission.
]

Përveç një grupi të vogël njerëzish të raportuar në Janar, që kishin infektuar njëri-tjetrin, Tajvani nuk ka raportuar asnjë rast të ri me coronavirus pas datës 31 janar, derisa një grua doli pozitive më 28 shkurt. Përveç larjes së duarve, vlen të thuhet se një pjesë e madhe e tajvanezëve kanë vënë maska qëkur u përhap lajmi i epidemisë, që në fillim të janarit, edhe pse shumë ekspertë në atë kohë thoshin se mbajtja e maskave nuk ishte e domosdoshme. Edhe pse mungesa  e maskave kishte shkaktuar kaos, një pjesë e mirë e tajvanezëve janë kujtuar që të kujdesen me higjienën në çdo kohë. Kjo është masa më e mirë mbrojtëse, kur ende nuk janë krijuar vaksinat dhe ilaçet për ta luftuar.

Para Shën Valentinit, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA kishte nisur zbatimin e masave ekzistuese të gripit për të parandaluar COVID-19. Dhe ka funksionuar, SHBA-të janë mirë deri tani. Presidenti Trump duhej të kishte pasur më shumë besim te përpjekjet e vendit të tij e të mos lejonte ndalimin e udhëtimeve me zonën Shengen. Nëse SHBA-të kanë nevojë të marrin masa të tjera shtesë, më kuptim do të kishte po të ndalonte udhëtimet me Italinë, ndërkohë që vetë Italia ka bllokuar lëvizjet në të gjithë vendin, pa bllokuar edhe 26 vendet e tjera të Europës.

Kërkimet shkencore për të mundur virusin kërkojnë kohë, por epidemia nuk pret. Duhen gjetur të dhëna duke analizuar rastet e raportuara, në mënyrë që të ndërtohet një strategji e saktë veprimi. Zgjidhja më e mirë është të ndiqen fije e për pè masat që zbatohen zakonisht për kontrollimin e gripit, si dhe të merren masa të tjera shtesë: vënia e maskave dhe ruajtja e një sistemi imunitar të shëndetshëm. BE-ja duhet të marrë mësim nga situata e tanishme, sidomos pas ndalimit të udhëtimeve që vendosi presidenti amerikan, dhe të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr forcën botërore që do të menaxhojë coronavirusin COVID-19 nëpërmjet protokolleve për ndalimin e gripit, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pingyuan “Edward” Lu, Drejtor i Zyrës për Shëndet Publik për OJW-në HSVG Mission.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?