Gjatë vizitës së tij në Indi, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-të do t’i shesin vendit të dytë me popullsinë më të madhe në botë rreth 3 miliardë dollarë pajisje ushtarake, përfshi helikopterë sulmi.
Kjo është një përpjekje e SHBA-ve dhe Indisë për të ekuilibruar fuqinë e Kinës në Azi.
Presidenti Doland Trump tha se dy vendet kanë bërë përparime në lidhje me diskutimet tregtare.
“Kryeministri Modi po krijon një marrëdhënie ekonomike të drejtë dhe të ndërsjellë. Ekipet tona kanë bërë përparim të madh në lidhje me marrëveshjen tregtare, dhe jam optimist se mund të arrijmë një marrëveshje që do të jetë e rëndësishme për të dy vendet”, tha Trump.
India dhe SHBA-të janë përpjekur të sheshojnë mosmarrëveshjet në lidhje me bujqësinë, tregtinë dhe tarifat doganore.
“Sot ramë dakord që ta zgjerojmë bashkëpunimin me Indinë, me një marrëveshje 3-miliardë-dollarëshe për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshi helikopterët Apache dhe MH60 Romeo, më të mirët në botë”, tha Trump.
Vizita e presidentit amerikan në Indi, e para zyrtare, ka qenë një spektakël i vërtetë për sa i përket pritjes.
India është një prej pak vendeve të mëdha ku Trump ka mbështetjen e më shumë se 50% të popullsisë.
Vizita përfshinte një shëtitje private te Taxh Mahal, si dhe te një stadium me 100 mijë vende, ku turma brohoriti “Namaste Trump”.
Megjithatë, Modi nuk i ka fshehur dot trazirat në vendin e tij.
Në Nju Delhi ka pasur protesta të shumta në lidhje me ligjin e nënshtetësisë, i cili thuhet se diskriminon myslimanët.
Protestat nisën të hënën, por u përshkallëzuan këtë të martë duke lënë rreth 10 të vdekur e qindra të plagosur.