Forcat elite të Koresë së Veriut kanë pësuar humbje të mëdha gjatë përleshjeve me ushtrinë ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë. Sipas Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Koresë së Jugut, rreth 1,100 ushtarë të këtyre forcave speciale janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i përfshirjes në konflikt disa javë më parë, ndërsa një gjeneral i lartë është raportuar mes viktimave.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, megjithatë, nuk duket se është i shqetësuar nga humbjet. Udhëheqësi autoritar raportohet se po dyfishon mbështetjen e tij për presidentin rus, Vladimir Putin, në këmbim të furnizimeve kritike të naftës, parave të gatshme dhe teknologjisë ushtarake.
Zelensky tha më 23 dhjetor se Koreja e Veriut mund të dërgojë më shumë trupa dhe armë në front. Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut e mbështeti këtë parashikim, duke thënë se Pheniani po përgatitet për rotacion të ushtarëve apo që ta furnizojë Rusinë me trupa shtesë.
Mbështetja ushtarake e Koresë së Veriut po vjen në një kohë kritike të luftës. Rusia po synon që të mposhtë këmbësorinë ukrainase, e cila ka më pak ushtarë dhe burime, dhe të fitojë territor para se fuqia njerëzore dhe burimet e saj të kufizohen.
Rusia ka humbur më shumë se 600.000 ushtarë gjatë pothuajse 3 vjet luftë, tha Pentagoni gjatë muajit tetor. Moska ka shpenzuar shumicën e materialit të luftës dhe po përballet me vështirësi që të zëvendësojë artilerinë dhe raketat e saj që i duhen për shkak të sanksioneve perëndimore.
Tani, pothuajse dy e treta e mortajave dhe granatave që Rusia lëshon në Ukrainë vijnë nga Koreja e Veriut, ka raportuar Wall Street Journal, duke cituar Andriy Kovalenko, oficer të ushtrisë ukrainase. Dhe çdo e treta raketë balistike që gjuhet drejt Ukrainës është prodhuar në Korenë e Veriut, sipas zyrtarëve ukrainas.
Pheniani po rrit prodhimin e armëve për të përmbushur kërkesën në rritje të Rusisë, thanë ekspertët.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rusia sulmon Kharkiv, gjysmë milioni banorë pa energji e ujë për Krishtlindje
- Koreja e Veriut i ka dërguar armatim shtesë Rusisë, thotë Seuli