Gjatë së mërkurës, një ortek i dytë dëbore ka rënë në Turqinë lindore, duke zënë poshtë një skuadër kërkim shpëtimi, të cilët qenë nisur më parë në kërkim të personave që kishin humbur nga një ortek i mëparshëm. Autoritetet thanë se 26 punonjës kanë humbur jetën, 53 kanë mbetur të plagosur dhe ka ende të tjerë që janë të zhytur nën dëborë.
Rreth 300 punonjës të shërbimeve të emergjencës u thirrën në një autostradë pranë provincës së Vanit, në qytezën malore të Bahçesarajit në kufi me Iranin, pas një orteku në orët e vona të së martës. Rrëshqitja e dëborës zuri poshtë pesë persona, ndërsa dy të tjerë ishin në kërkim. Rreth pasdites të së mërkurës, ra orteku i dytë.
Agjencia turke e menaxhimit të emergjencave dhe katastrofave, AFAD, thanë se kanë tërhequr 26 trupa nga dëbora.
Më herët, guvernatori Mehmet Emin Bilmez tha ndër viktimat ishin tetë oficerë të policisë ushtarake, tre roje qeveritare, 3 zjarrfikës dhe 9 vullnetarë.
[twitter_feed=https://twitter.com/tcvanvaliligi/status/1224836317240012800]
Kërkimet vijojnë
Skuadrat e emergjencës vazhdojnë kërkimet për kolegët e tyre, të cilët mund të jenë ende të zhytur nën dëbore, tha Bilmez, por pa konfirmuar shifra.
Rreth 30 punonjës të emergjencës u nxorën nga dëbora ndërsa disa të tjerë ia kanë dalë vetë dhe janë duke marrë mjekimin e duhur në spital, tha ministri i Brendshëm. Nuk ka informacione të mëtejshme për gjendjen e tyre shëndetësore.
“E kisha gjysmën e trupit nën dëborë”
Kreu i operacioneve të AFAD në provincën e Vanit, Osman Ucar, ishte ndër personat e lënduar. Duke folur nga shtrati i spitalit, ai tha se e kishte marrë përpara një ekskavator që kish rrëshqitur nga dëbora.
“E kisha gjysmën e trupit nën dëborë”, tha ai, duke shtuar se ia doli të shpëtonte vetë.
Orteku i parë zuri nën të një automjet për të pastruar dëborën dhe një fugon, ndërsa automjeti i operatorit dhe shtatë pasagjerët që ndodheshin në të shpëtuan.
Agjencia e shtetërore e lajmeve, Anadolu, tha se shoferi, Bahattin Karagulle, kishte ngecur rreth 25 minuta nën dëborë përpara se të thyente dritaren dhe të shpëtonte. Ai ka qenë duke ecur drejt fshatit më të afërt për të marrë ndihmë, përpara se të ndihmohej nga një automjet kalimtar.