Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar Rusinë që mos t’iu zënë rrugën në Sirinë e Veriut teksa forcat e tij përplasen me ato të regjimit të presidentit Bashar Al-Assad.
Paralajmërimi erdhi pasi të enjten 33 ushtarë turq humbën jetën si pasojë e sulmeve ajrore në provincën e Idlibit, numri më i lartë i viktimave në një ditë, që kur Turqia ndërhyri për herë të parë në Siri në 2016-n.
Ankaraja akuzon Rusinë si autoren e sulmeve ajrore, por Moska ia ka hedhur fajin ushtrisë siriane.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimin për një luftë të mirëfilltë, ndërsa miliona qytetarë sirianë mbeten të bllokuar në mes të këtij konflikti.
Forcat e qeverisë siriane janë në një ofensivë prej disa javësh në provincën e Idlibit, qendra e fundit e kontrolluar nga rebelët, në kufi me Turqinë.
Mijëra ushtarë turq ndodhen brenda zonës së kontrolluar të rebelëve në provincën e Idlibit, e cila është e dominuar nga militantë që kanë lidhje të Al Kaedën.
Ofensiva e Idlibit ka shkaktuar zhvendosjen e rreth 950 mijë banorëve drejt kufirit midis Sirisë dhe Turqisë në mes të temperaturave të ftohta të dimrit.
This is the worse displacement we’ve seen during the Syrian conflict.
Hundreds of thousands of people are fleeing Idlib. https://t.co/UlvDcgi89p
— ICRC (@ICRC) February 27, 2020
Të premten në mbrëmje, ministri i Mbrojtjes së Turqisë tha se ishte vrarë edhe një ushtar tjetër ndërkohë që dy të tjerë kishin mbetur të plagosur nga bombardimet e qeverisë siriane.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se forcat turke kishin qëlluar mbi disa forca të qeverisë siriane duke i neutralizuar.
Erdogan i kishte dhënë kohë qeverisë siriane që të tërhiqej deri në fund të muajit nga zonat e kapura në Idlib, duke kërcënuar me përshkallëzim ushtarak në rast të kundërt.
Por një përshkallëzim ushtarak nga ana e Turqisë rrezikon jetën e më shumë ushtarëve turq dhe nuk është e qartë se çfarë do të bëjë Erdogan. Qetësia e tij pas vdekjes së 33 ushtarëve është e pazakontë.
Më herët gjatë muajit, Turqia nisi të përforcojë forcat në Idlib në një përpjekje për të rrëzuar ofensivën e qeverisë siriane, e cila nisi në fillim të dhjetorit.
Të dërguarit e NATO mbajtën disa takime urgjente të premten me kërkesë të Turqisë, një vend anëtar në NATO. Teksa kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve në Idlib, NATO nuk ka ofruar asistencë të mëtejshme.
Përmes një lidhje telefonike ditën e premte, Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin, diskutuan për implementimin e marrëveshjeve në Idlib, deklaroi Kremlini.
Erdogan foli edhe me liderë të tjerë botërorë, si presidentin Donald Trump dhe kancelaren Angela Merkel.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Idlib. Ai paralajmëroi se, “pa masa urgjente, risku për përshkallëzim të mëtejshëm shtohet çdo orë dhe si gjithmonë, janë qytetarët ata që paguajnë çmimin më të shtrenjtë”.
Lexo më shumë:
Qindra emigrantë sirianë kalojnë natën në kufirin greko-turk
Konflikti në Siri, Trump e Erdogan thirrje për të shmangur krizën humanitare
U vriten 33 ushtarë, Turqia publikon pamje me dron nga sulmet kundër Asadit