Pasditen e sotme u zhvillua mbledhja e parë e këshillit politik për reformën zgjedhore, ndërsa në dalje të takimit përfaqësuesit e forcave politike bënë me dije se pika e parë që kanë rënë dakord është që të mblidhen çdo ditë për të mos humbur ende kohë.
Reforma zgjedhore dhe marrëveshja e arritur papritur mes mazhorancës dhe opozitës është bërë objekt diskutimi në studion e Ilva Now, në Euronews Albania, teksa gazetarët Arjon Sulo dhe Ben Andoni kanë ndarë qëndrimet e tyre lidhur me këtë zhvillim të fundit në arenën politike.
Të dy gazetarët ishin në të njëjtën mendje për faktin se kjo marrëveshje ishte kopsitur prej kohësh në nivele më të larta të politikës me ndërmjetësinë e ndërkombëtare, duke qenë se miratimi dhe implementimi i reformës zgjedhore është një nga kushtet e vëna nga Bundestagu për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Por për gazetarin Ben Andoni, kjo reformë në mënyrë siç erdhi dhe siç u dakordësua do të jetë thjesht ‘make up’ dhe sa për të thënë që një nga kushtet e vëna nga Bundestagu po zbatohet.
Sipas kryeredaktorit të gazetës ‘Liberale’, Arjon Sulo, reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore janë dy kushtet e para të vendosura nga Bundestagu, por kushti i tretë është hetimi i zgjedhjeve.
“Nëse nga hetimi kemi disa përgjegjës nga mazhoranca e sotme, nuk është gjë tjetër veçse përgatitje për zgjedhjet e parakohshme. Kriza duhet zgjidhur me mjete politike. Kriza nuk është zgjidhur. Sot Basha tha se zgjedhje me Ramën nuk ka”, – tha Sula.
Ndërkohë, sipas gazetarit Ben Andoni, kauza e opozitës është humbur që kur janë ulur përballë Gjiknurit, që është një nga më të përmendurit në përgjime
“Zgjedhje të parakohshme nuk do ketë, i vetmi lëshim që mund të bëjë mazhoranca është të zhvillojë zgjedhje në tri rajone ku nuk ka kryebashkiakë”, – tha Andoni.