NBA ka njoftuar se do të pezullojë sezonin më të ndjekur të basketbollit në SHBA, pasi një prej lojtarëve ka rezultuar i infektuar me coronavirusin COVID-19.
Lojtari është Rudi Gobert, dhe vetëm pak ditë më parë, gjatë një konference shtypi, ai kishte prekur me shaka të gjithë mikrofonët e gazetarëve para se të largohej nga salla.
Sipas mediave të ndryshme, e kishte bërë këtë në formë shakaje në lidhje me coronavirusin.
Analizat u verifikuan pak minuta para se “Utah Jazz” të zbriste në fushë me “Oklahoma City Thunder” te “Chesapeake Energy Arena”. Ndeshja u anulua menjëherë.
NBA tha se lojtari i prekur, Rudy Gobert, nuk ndodhej te arena sportive në ato çaste, dhe se pezullimi do të vazhdonte pa afat, derisa të merrej një vendim tjetër.
“Këtë kohë do ta përdorim për të vendosur masat e tjera që do të marrim në lidhje me përballimin e pandemisë”, tha njoftimi nga NBA.
Coronavirusi COVID-19 ka prekur rreth 120 mijë persona në të gjithë botën, duke shkaktuar 4300 të vdekur. OBSH, ndërkohë, ka shpallur pandeminë.
Situata vazhdon të jetë e rëndë sidomos në Itali, ku numërohen rreth 11 mijë të prekur e mbi 800 të vdekur.
Ndërkohë, në SHBA, presidenti Trump pezulloi udhëtimet drejt Europës për 30 ditë, duke fajësuar BE-në se nuk ka vepruar në kohë për të mbyllur kufijtë me zonat e prekura.
Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare Amerikane saktësoi se ndalimi përfshinte udhëtimet nga zona Shengen, pra, nga Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Litenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.
This is the video of Rudy Gobert touching all the microphones and potentially infecting innocent people with Coronavirus pic.twitter.com/hqae652PLX
— Abdul Memon (@abdulamemon) March 12, 2020