Ushtria turke ka publikuar pamje me dron nga sulmet që kanë kryer kundër objekteve ushtarake të qeverisë siriane në Idlib.
Agjencia shtetërore turke, “Anadolu”, tha se në 17 ditët e fundit, forcat e Ankarasë kanë “asgjësuar” 1709 anëtarë të forcave ushtarake siriane në Idlib.
Ushtria siriane, e mbështetur nga Rusia, është duke luftuar me rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia, dhe përplasja e tyre ka përshkallëzuar së fundmi.
Pasi sulmit ajror të Asadit që la 33 ushtarë turq të vrarë, Ankaraja mori vendimin që nuk do t’ua pengojë më refugjatëve sirianë hyrjen në Europë.
Kjo bëri që NATO të kërkojë një mbledhje urgjente të vendeve anëtare, ndërsa me qindra refugjatë sirianë kanë nisur marshimin drejt Greqisë e Bullgarisë, të papenguar nga Turqia.
Rusia, ndërkohë, është përpjekur të ruajë miqësinë me Turqinë. Vladimir Putin ka folur me Erdoganin këtë mëngjes dhe janë zotuar që t’i shmangin në të ardhmen tragjedi të tilla.
Ai tha se Moska do të bëjë ç’është e mundur për t’i ofruar siguri ushtarëve turq që ndodhen në Siri, sipas ministrit të jashtëm, Sergei Lavrov.
Ndërkohë, aleatët europianë janë të shqetësuar për një tjetër valë të mundshme emigrimi.
Turqia është duke mbajtur 3.6 milionë refugjatë sirianë në territorin e vet, dhe ka bërë një marrëveshje me BE-në që të bashkëpunojnë për të ndaluar ardhjen e tyre.
Menjëherë pas sulmit në Idlib, zëdhënësi i partisë së Erdoganit tha se Turqia nuk e ka më mundësinë që t’i frenojë refugjatët.