Ushtria ukrainase ka nisur ofensivë të re në rajonin rus Kursk, sipas deklaratave preliminare të zyrtarëve ukrainas dhe raportimeve në disa kanale pro-ruse në platformën Telegram.
Ofensiva e papritur është bërë e ditur nga Andriy Kovalenko, udhëheqës i Qendrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës kundër Dezinformimit, përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Ai ka thënë se forcat ruse në Kursk janë “sulmuar në disa drejtime, në mënyrë të befasishme”.
Edhe shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur sulmin në mënyrë indirekte në Telegram.
“Rajoni Kursk, lajme të mira, Rusia po fiton atë që e meriton”, ka thënë ai.
Ofensiva është raportuar të jetë nisur nga qendra Sudzha, e cila ka qenë nën kontrollin ukrainas prej gushtit të vitit 2024, dhe ka vazhduar në drejtim të Bolshoje Soldatskojes, rreth 70 kilometra larg qytetit Kursk.
Ushtria ukrainase nuk i ka komentuar ende raportimet për sulme, mirëpo Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se “rreth orës 9:00, forcat e armatosura ukrainase kanë nisur kundërsulm për të bllokuar avancimin e trupave ruse në drejtim të Kurskut”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Zelensky: Ukraina po përgatitet të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë
- Viti i Ri i tretë që ushtarët ukrainas janë në vijën e frontit, Rusia vazhdon sulmet