Të paktën 10 persona u plagosën këtë të mërkurë në Ukrainë, pasi protestuesit sulmuan automjetet në të cilat transportoheshin persona nga Kina, të dyshuar si të prekur nga koronavirusi.
Përplasjet ndodhën në qytetin e Novi Sanzharit, në rajonin e Poltavës. Nëntë nga të plagosurit ishin policë, dhe një protestues.
Banorët u mblodhën në protestë pasi mësuan se 45 ukrainas dhe 27 të huaj, të prekur me koronavirus, do të mbaheshin të izoluar në rajonin e tyre pasi ishin evakuuar nga Kina.
Banorët medojnë se virusi mund të përhapet mes tyre dhe protesta vazhdoi pavarësisht thirrjeve të shumta të qeverisë, e cila garantoi se asnjë prej të evakuuarve nuk kishte simptomat e infeksionit të frikshëm që ka alarmuar botën.
Deri më tani, në Ukrainë nuk është raportuar asnjë rast nga virusi që ka marrë më shumë se 2000 jetë njerëzish e ka infektuar rreth 76 mijë persona, duke u shpërndarë në 25 vende të ndryshme.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, tha se janë marrë masa ekstreme për të mos e lejuar përhapjen në vendin e tyre.
Ai bëri gjithashtu thirrje që njerëzit të mos organizojnë protesta. “Shumica e udhëtarëve janë nën 30 vjeç, pothuajse në moshën e fëmijëve tanë. Rreziku më i madh është se mos harrojmë që jemi njerëz, dhe që jemi të gjithë ukrainas”, tha ai në një deklaratë, ndërkohë që shumë ukrainas nëpr rrjete shoqërore e kanë qortuar veprimin e bashkëatdhetarëve.