Drejtoria e Tatimeve së bashku me Ministrinë e Financave po hartojnë politika afatgjata fiskale dhe tatimore të pandryshueshme, për të cilat dhomat e tregtisë janë ankuar vazhdimisht.
“Mund ta imagjinoni vetë se çfarë mund të mendojë një investitor i madh për të bërë parashikimet e tyre fiskale, duke patur frikë që vitin tjetër rregullat do ndryshohen përsëri”, tha Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në një takim me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe përfaqësues të biznesit, drejtoria e tatimeve tha se po krijon një strategji 5-vjeçare në përgjigje të shqetësimeve të biznesit.
“Strategjia jonë si drejtori e përgjithshme e tatimeve synon të ulë informalitetin, të shmangë evazionin, dhe lidhet ngushtësisht me rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare.” U shpreh Delina Ibrahimi, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve.
Dhoma Amerika e Tregtisë u ankua se sistemi tatimor që ndryshon vazhdimisht po nxit informalitetin.
“Ky informalitet i një pjese të madhe të tatimpaguesve, më pas, jo vetëm këta tatim-pagues nuk paguajnë detyrimet e tyre, por barra e mospagesës rëndon mbi tatim-paguesit që bëjnë deklarim.”, nënvizoi Alketa Uruçi, kryetare e Komitetit të Taksave dhe Doganave.
Reformat më të fundit tatimore kundër informalitetit janë paketa e fiskalizimit dhe shkëmbimi automatik i informacionit mes tatimeve dhe bankave për klientët jo-rezidentë. Amnistia e re fiskale deklaruar nga kryeministri gjithashtu synon të ndihmojë në uljen e mëtejshme të informalitetit.