Dy sipërmarrës nga Qipro kanë bashkuar forcat për të kapërcyer ndarjen greko-turke të ishullit. Ata duan që përmes tregtisë të çojnë përpara procesin e paqes, por burokracitë qëndrojnë ende si një urë ndarëse midis tyre.
Ata e kanë quajtur “vaji për paqen”
Ky është projekti i përbashkët i dy qipriotëve, njërit nga ana greke e ishullit e tjetri nga ana turke, dy miq që u takuan në Londër gjatë kohës që po kryenin studimet e tyre.
Duke vënë mënjanë gjithë rivalitetet politike, ata vendosën të bashkojnë forcat për një të mirë të përbashkët.
Ndërmarrja që ata bashkë-themeluan quhet “Coliveoil” dhe shet vaj ulliri në të dy krahët e Qipros.
Alexandros Philippides, një nga themeluesit, tregon se:
“Coliveoil po përpiqet të promovojë procesin e paqes në Qipro nëpërmjet një qëllimi të përbashkët që ne kemi, një pikë e përbashkët që e ndajnë të dyja komunitetet, i cili është vaji ullirit”
Pengesat burokratike
Në teori, projektet në të cilat përfshihen të dy komunat kanë mbështetjen e autoriteteve qipriotë, por e vërteta qëndron se ka shumë pengesa për tu kaluar.
Duke qenë se nuk ka një kuadër ligjor për kompani të tilla, Coliveoil është i ndarë midis dy enteve ligjore. Ai i veriut i shet vaj atij të jugut; nga aty eksportohet në Bashkimin Europian.
“Modeli ynë i biznesit është që të blejmë 50 për qind të ullinjve tanë nga fermat në veri, 50 për qind nga fermat në jug”, thotë Hasan Siber, themeluesi tjetër i Coliveoil. “Më pas ne dhurojmë 10 për qind të ardhurave tona. Veprimet janë të bazuara mbi dy komunat kështu që edhe të ardhurat dhurohen mbrapsht tek komunitetet”.
Selia e kompanisë është në zonën neutrale të Nikozias. Qipro u nda në 1974 kur ushtria turke pushtoi ishullin dhe aneksoi pjesën veriore.
Punonjësit e Coliveoil thonë se ndihen sikur janë një pjesë e aktive e procesit të paqes.