Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë të joshin kompaninë gjermane, e cila po përpiqet të gjejë vaksinën kundër sëmundjes infektive që ka gjunjëzuar para vetes shtete e territore të shumta të botës, që hulumtimet e saj t’i transferojë në SHBA.
Kjo ka ngjallur kritika të shumta nga politikanët gjermanë, të cilët insistojnë se as një vend nuk duhet të kthejë në monopol vaksinat që do të krijohen në të ardhmen. Burime qeveritare gjermane, thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” këtë të dielë, se administrata e Shteteve të Bashkuara, po kërkonte për mënyra se si të gjenin shteg tek vaksina që me shumë gjasa do të zhvillohet nga kompania gjermane, CureVac.
Më parë, gazeta gjermane “Welt am Sonntag” raportoi se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte ofruar një shumë të majme për të joshur CureVac dhe për t’i tërhequr ata drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa qeveria gjermane po përgjigjej me kundëroferta për ta bindur atë të qëndronte në territorin gjerman.