Anëtarët e Partisë Socialiste kanë zgjedhur 135 emrat e rinj që do të përbëjnë Asamblenë Kombëtare të kësaj partie. Mes tyre gjenden emrat e ish-kryetarëve të bashkive Durrës dhe Elbasan.
Ndonëse Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini, nuk u rikandiduan në zgjedhjet lokale si kryebashkiakë të Durrësit dhe Elbasanit, ata kanë siguruar votat e nevojshme për t’u zgjedhur anëtarë të Asamblesë. Si Dako dhe Sejdini për shumë vite kanë qenë pjesë e Kryesisë së PS-së pasi kanë drejtuar me nga tre mandate bashki të mëdha.
Ndërsa Sejdini zgjidhet anëtar në një moshë 69-vjeçare dhe i tërhequr nga politika aktive, Dako nga ana tjetër mbetet pjesë e strukturave të PS edhe pse është deklaruar publikisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person i dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe për këtë arsye i është ndaluar hyrja në SHBA familjarisht.
“Sekretari i Shtetit amerikan i ka ndaluar kryetarit të Bashkisë së Durrësit, hyrjen në SHBA bazuar në Seksionin 7031 (c) të Departamentit të Shtetit të FY 2019, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion madhor. Seksioni 7031 (c) parashikon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në një korrupsion të konsiderueshëm ose një shkelje të të drejtave të njeriut, ai dhe anëtarë të familjes nuk kanë të drejtë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”, thuhej në deklaratën e DASH, të publikuar në korrik 2019 kur Dako ishte ende në detyrë.
Gjithashtu mund të lexoni: Kryeministri Rama: Vendi s’mund të jetë peng i “besëlikes”