Romani i Salman Rushdie “Vargjet Satanike” është rishfaqur në libraritë indiane 36 vjet pasi u ndalua në vitin 1988, njoftuan sot mediat britanike.
Siç raportoi Guardian, rishfaqja e kësaj vepre në librari nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës, por me një dokument të humbur për ndalimin e tij.
Dokumenti origjinal me të cilin qeveria indiane ndaloi importin e këtij libri nuk mund të gjendej në labirintin e burokracisë indiane dhe një gjykatë në Nju Delhi më në fund u detyrua të hiqte ndalimin.
Romani i Rushdie, i frymëzuar nga jeta e profetit Muhamed, ndezi një debat të nxehtë në mbarë botën rreth lirisë së fjalës pasi lideri suprem i atëhershëm iranian Ayatollah Khomeini lëshoi një fetva, ose dënim me vdekje, kundër shkrimtarit për blasfemi të supozuar.
Romani u ndalua në Indi nga qeveria e Rajiv Gandhit në vitin 1988 pasi shpërthyen trazirat për përmbajtjen e tij.