Mbrojtja civile italiane doli në konferencën e përditshme për shtyp dhe njoftoi se numri i të vdekurve për 24 orët e fundit ka qenë prapë i lartë, 756, duke e çuar totalin në 10.779.
Numri i të infektuarve tani ka shkuar 73.880 në total, pa numëruar ata që janë shëruar, dhe në 24 orët e fundit janë shtuar 3815 të tjerë.
Ndërsa numri i të shëruarve është shtuar me 646, duke e çuar totalin në 13.030. Numri i personave që janë infektuar gjithsej është rreth 96 mijë.
Në këtë deklaratë, përfaqësuesit përmendën edhe mjekët dhe infermierët shqiptarë që shkuan në Itali për t’i ndihmuar, dhe shprehën falënderimet.
Edhe pse shifrat janë të larta, ditët e fundit vihet re një rënie prej 10-15% jo vetëm e numrit të viktimave, por edhe të pacientëve që shtrohen në terapi intensive.
“Megjithatë, vazhdojmë të jemi në epidemi të plotë. Do të ishte gabim ta ulnim nivelin e mbrojtjes tani”, tha ministri i shëndetësisë, Roberto Speranza.
Të infektuarit me coronavirus në të gjithë botën kanë arritur shifrën 679.000, ndërsa të vdekurit tani janë më shumë se 30 mijë.
Spanja është vendi i dytë më i prekur në botë, ku dje janë shënuar një numër rekord vdekjesh nga COVID-19, plot 838 viktima për 24 orët e fundit.
Numri është pak më i lartë se një ditë më parë, që ishte 832, duke e çuar kështu totalin e të vdekurve në 6528.