Sot është shënuar vdekja e parë nga coronavirusi COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha në një konferencë për shtyp se SHBA-të kanë 22 persona të infektuar me COVID-19, dhe një prej tyre ka humbur jetën.
“Një grua e mrekullueshme, paciente me rrezikshmëri të lartë, në të pesëdhjetat. Katër të tjerë janë sëmurë. Fatmirësisht, 15 prej tyre ose janë shëruar plotësisht, ose janë drejt shërimit, dhe janë nxjerrë nga spitalet për të shkuar në shtëpi”, tha Trump.
Presidenti paralajmëroi që ka gjasa që të ketë raste të tjera në SHBA, por njerëzit e shëndetshëm do të shërohen plotësisht, pasi të ndjekin procedurat.
“Që në fazat e para, administrata ime ka marrë masat më agresive në historinë moderne për t’u përballur me përhapjen e kësaj sëmundjeje”, tha Trump.
“Kemi vepruar shumë herët. Ishte një nga vendimet që morëm, dhe doli se ka shpëtuar shumë jetë”, tha Trump, teksa rendit masat e marra nga qeveria për të parandaluar virusin, si moslejimi në SHBA i njerëzve që udhëtonin nga Kina.
“Kina duket se po bën përparime të mëdha. Shifrat e të prekurve kanë rënë shumë. Tim Cook i ‘Apple’ thotë se tani i janë rikthyer plotësisht punës”, tha Trump.
Coronavirusi COVID-19 ka vazhduar të përhapet me shpejtësi, duke e zgjeruar hartën në Azerbajxhan, Bjellorusi, Meksikë, Irlandë, Nigeri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten se pas zbulimit të një rasti edhe në Nigeri, në zonën subsahariane, tani pritet që virusi të përhapet ndoshta edhe në çdo shtet pa përjashtim.