Edhe pesë raste të reja të infektuara me COVID-19 janë konfirmuar sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Tre nga pesë rastet e reja, janë pacientët e pranuar nga Klinika Emergjente – në mesin e tyre edhe 65-vjeçari nga Ferizaj, i cili ka rezultuar pozitiv ndaj virusit në testet pas vdekjes.
“Janë testuar 13 mostra të marra nga rastet e shkruar në Klinikën Infektive Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, pesë (5) prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftimin e IKSHP. Tashmë është konfirmuar regjistrimi i viktimës nga Ferizaj, në listën e të vdekurve nga COVID19, duke e ngritur totalin në 4 viktima.
Deri dje janë shëruar 24 pacientë. Numri i përgjithshëm i infeksioneve me coronavirus në Kosovë është 170, ndërsa numri i mostrave të testuara është 2106. Ndërkohë nën mbikëqyrje të IKSHP janë 3304 presona kontakti me të infektuarit.
Vdiq nga infarkti, rezulton pozitiv në testet post-mortum
Një 65-vjeçar nga Ferizaj, i cili ka humbur jetën ndrsa po trajtohej në Klinikën Emergjente, si pasojë të arrestit kardiak, ka rezultuar pozitiv ndaj COVID-19, në testin pas vdekjes. Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), që njoftoi se edhe dy pacientë tjerë të pranuar në Emergjencë kanë rezultuar të infektuar me coronavirus.
“I.SH ( 1955), i transferuar nga Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente, ai nuk ka arritur të mbijetoi. Ai ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pas testimit, post mortum”, njofton SHSKUK.
Ndërkohë, dy pacientët tjerë – një punëtor krahu nga Malisheva, i lindur më 1969, i cili ishte dërguar në emergjencë për shkak të një lëndimi, dhe, një tjetër nga Mitrovica, i lindur më 1964, i cili ishte trajtuar në spital për shkak të problemeve me diabet dhe zemër – kanë rezultuar pozitivë dhe janë transferuar për trajtim në Klinikën Infektive.
Me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, menjëherë janë dezinfektuar hapësirat e Klinikës Infektive. Ndërkohë, në këtë klinikë po trajtohen 47 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 41 janë në gjendje stabile, 4 në trajtim me oksigjeno-terapi dhe 2 pacientë ndodhen në mjekim intensiv – në gjendje kritike – në ventilim mekanik.
Nëse 65-vjeçari nga Ferizaj, që ka vdekur si pasojë e arrestit kardiak, por që rezultoi pozitiv në COVID-19, regjistrohet si viktimë e virusit, atëherë numri përgjithshëm i vdekjeve nga coroanvirusi shkon në katër.