Në një takim ministror të mbajtur në kryeqytetin egjiptian, Kajro, gjashtë vende arabe refuzuan me vendosmëri çdo përpjekje për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe riafirmuan thirrjen për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez në bazë të formulës me dy shtete.
Takimi u zhvillua me ftesë të Egjiptit dhe mblodhi përfaqësues nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Jordania, Palestina dhe Liga Arabe. Pas diskutimeve, u lëshua një deklaratë e përbashkët ku theksohet rëndësia e arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Vendet pjesëmarrëse shprehën kundërshtimin e tyre të fuqishëm ndaj çdo përpjekjeje për të cenuar të drejtat e patjetërsueshme të palestinezëve, përfshirë ndalimin e vendbanimeve të paligjshme, dëbimeve me forcë, prishjen të shtëpive dhe aneksimeve të tokave. Sipas deklaratës, çdo masë që inkurajon zhvendosjen ose çrrënjosjen e palestinezëve përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Ministrat arabë i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqive globale, të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, duke theksuar se çdo alternativë tjetër do të minonte stabilitetin në rajon.
Ky qëndrim vjen pas deklaratave të përsëritura të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi “spastrimin” e Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve në Egjipt dhe Jordani, duke e përshkruar enklavën si një “vend shkatërrimi”. Megjithatë, Kairo dhe Amman e kanë refuzuar kategorikisht këtë ide, duke riafirmuar mbështetjen për të drejtat e palestinezëve mbi tokën e tyre.
Edhe Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi se Ankaraja është “plotësisht kundër” këtij propozimi, duke e cilësuar atë në kundërshtim me ligjin humanitar ndërkombëtar. Në një konferencë shtypi në Doha, Fidan tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë i bashkuar kundër çdo përpjekjeje për dëbimin e palestinezëve nga Gaza.
Propozimi i Trump vjen pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi në Gaza më 19 janar, pas një lufte shkatërrimtare izraelite që ka vrarë mbi 47,400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023. Bombardimet izraelite kanë kthyer enklavën në një zonë të rrënuar.
Propozimi për zhvendosjen e palestinezëve është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, me kritikë që e kanë cilësuar atë si një formë “spastrimi etnik” dhe një “krim lufte”. Përveç vendeve arabe dhe myslimane, edhe disa shtete evropiane, si Franca, e kanë refuzuar këtë ide me vendosmëri.
Takimi në Kajro riafirmoi se paqja në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, bazuar në krijimin e një shteti të pavarur palestinez me kufijtë e vitit 1967 dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
LEXONI GJITHASHTU:
- Çfarë po ndodh në Gaza: Palestinezët kthehen, Trump kërkon largimin e tyre
- Egjipti refuzon zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, kundërshton kërkesën e Trump