Cilësia e sistemit të hekurudhave në Europë është shumë e larmishme, pasi varion që nga TGV-të e shpejtë në Francë, e deri te trenat e epokës sovjetike të Moldavisë, të cilat kanë ende stola druri.
Sistemi hekurudhor është i keq sidomos në zonën e Ballkanit, sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror, që bëri një renditje të nivelit të hekurudhave sipas frekuencës së orareve, përpikërisë, shpejtësisë dhe çmimit.
Në Shqipëri, nga nëntori i vitit 2019 e deri në fillim të shkurtit të vitit 2020 nuk ka pasur asnjë udhëtar që të qarkullojë me trena, për shkak të mungesës së fondeve për të blerë karburant për lokomotivat.
Kompania hekurudhore nën pronësi të shtetit (HSH) nuk dha asnjë paralajmërim zyrtar për ndërprerjen e shërbimit. Njerëzit mësuan se trenat u rikthyen në punë vetëm pasi u publikuan njoftime në një grup të Facebook për të pasionuarit pas trenave.
Raporti i Forumit Ekonomik Botëror i dha Shqipërisë 1.2 pikë, nga shtatë në total, duke i renditur pas Serbisë, ndërkohë që Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut morën nga 2 pikë.
Vendet e Ballkanit që janë në BE (Bullgaria, Rumania, Sllovenia dhe Greqia), ofrojnë çmimet më të këqija për shërbimin, sipas Komisionit Europian. Shërbimi më i mirë vjen nga Holanda, Finlanda, Gjermania dhe Spanja.
Nuk është për t’u habitur që edhe numri i aksidenteve me trena është më i lartë në Europën lindore.
Anëtaret e BE-së nga Europa Qendrore dhe Lindore kanë numër më të lartë aksidentesh se mesatarja e BE-së, sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Agjencia e Unionit Europian për Hekurudhat.
Në Hungari dhe Bullgari, ka pasur raste që numri i aksidenteve hekurudhore ka qenë edhe tri herë më lartë se mesatarja e BE-së, ndërsa për Rumaninë dhe Estoninë, pesë herë më i lartë.
Në Bullgari, trenat udhëtojnë vetëm tri herë në javë, dhe 34 kilometra i bëjnë për 1 orë e 40 minuta. Për shkak të infrastrukturës së keqe, trenat ecin me 25 km/orë, të cilën e ulin ndonjëherë në 15 km/orë.
Në Rumani, fshatarët transportojnë bagëti në trena që janë relike të periudhës para Luftës së Dytë Botërore, që në vitin 1937. Në shumicën e vendeve të Europës perëndimore, këta trena do ta kishin vendin vetëm në muze, ose për linja turistësh.
Në Rumani, trenat e bëjnë distancën prej 120 kilometrash për pothuajse 3 orë, me një shpejtësi mesatare prej 40 km/orë.
Këto marrin shpesh vizita nga dashamirës gjermanë të trenave, të cilët vijnë për të bërë foto, por për ata që duhet të udhëtojnë çdo ditë nuk është aspak diçka e lehtë.
Sipas profit.ro, hekurudha rumune ka shkaktuar 4.5 milionë minuta vonesa në vitin 2017, ndërkohë që hekurudha është përdorur nga 53 milionë udhëtarë.
Vendet anëtare të BE-së nga Europa Lindore, si Bullgaria e Rumania, përdorin trena që Europa Perëndimore i ka dërguar për skrap që para viteve 2000. Po në vende të tjera ballkanike jashtë BE-së situata është edhe më dramatike.
Valoni, një mashinist nga Durrësi, në Shqipëri, thotë për Euronews se trenat janë vandalizuar, të gjithë pa përjashtim, ndaj vagonët janë shpesh pa ndriçim dhe me xhama të thyer.
“Edhe lokomotivat janë drejt shkatërrimit”, thotë ai, duke treguar me gisht fenerët e lokomotivës. “Vjedhin edhe llambat e dritave”.
Në Moldavi përdoren ende trena sovjetikë të viteve 60, ku udhëtarët ulen edhe sot në ndenjëse prej druri.
Në Bosnje Hercegovinë, disa miniera e transportojnë qymyrin me lokomotiva me avull të vitit 1942.
Edhe në vende të tjera janë anuluar shërbime hekurudhore që lidhnin Sarajevën me Beogradin, Zagrebin e Budapestin.
Megjithatë, priten ndryshime. Falë fondeve të BE-së, kanë nisur projekte që synojnë të sjellin përmirësime domethënëse të infrastrukturës. Synimi është që trenat të jenë të standardeve europiane, dhe që të qarkullojnë edhe me shpejtësi prej 160 km/orë.
Megjithatë, këto plane janë kryesisht për arteriet kryesore që lidhen me BE-në, ndaj udhëtarët që jetojnë larg linjave kryesore do të vazhdojnë të udhëtojnë me dyer të hapura dhe me trena të kohës së pas-luftës.