Anulimi i tenderit “Kardhiq-Delvinë”, “Gjoka Konstruksion” padit kreun e ARRSH-së

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Disa ditë pasi Ministria e Infrastrukturës vendosi të anulonte tenderin e ndërtimit të tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë, duke udhëzuar Autoritetin Rrugor Shqiptar t’i transferonte paratë në projekte të tjera më të rëndësishme, kompania fituese “Gjoka Konstruksion” ka paditur Sonila Qaton, drejtoreshë e ARRSH-së.

Kompania në fjalë kërkon nga prokuroria në padi që të hetojë drejtuesen e këtij institucioni për shkelje të ligjit. “Gjoka Konstruksion” e kishte paralajmëruar një ditë më parë nisjen e betejës ligjore me ARRSH-në, kur tha përmes një njoftimi për mediat se do të padiste drejtoreshën Sonila Qato për prishje të imazhit të kompanisë. “Deri më sot janë realizuar rreth 43% e volumit të punimeve, që do të thotë se jemi mbi 13% përpara kohe në realizim”, thuhet më tej në komunikatë.

Tenderi për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë u zhvillua më 17 qershor të 2019-s, që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e një procesi me përplasje të forta ligjore dhe dyshime të mëdha. Në tender morën pjesë 6 kompani: “COBIAL” me ofertë 14.6 mln euro, “Pevlaku” me ofertë 15.4 mln euro, “Fusha shpk” me 16 mln euro, “Gener 2” me 17 mln euro, “Alb Building” me 18.7 mln euro, si dhe “IRCOP” me ofertë 18.9 mln euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi më pas 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike dhe se kishin falsifikuar dokumentet, për të shpallur fituese të tenderit ofertën me çmimin më të lartë, atë të kompanisë italiane “IRCOP” në bashkim me 3 kompani të tjera shqiptare.

Ky vendim i ARRSH-së u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga “COBIAL”, kryesuesja e grupit të përbërë prej 4 shoqërish, që kishte ofruar ofertën me çmimin më të ulët prej 14.6 mln eurosh.

Komisioni i Prokurorimeve e shpalli të drejtë ankesën dhe rrëzoi si të paligjshëm vendimin e ARRSH-së për shpalljen fitues të ofertës me çmimin më të lartë, duke ndryshuar njëkohësisht edhe fituesin, për t’ia dhënë tenderin bashkësisë së shoqërive shqiptare me ofertë, rreth 4 mln euro më pak.

Ministria e Infrastrukturës reagoi sërish dhe përmes një shkrese të datës 3 shtator urdhëroi ARRSH-në të anulonte tenderin, duke e shtyrë ndërtimin e këtij projekti strategjik për vitet e ardhshme, ndërkohë që paratë do të kalonin për një tjetër projekt të papërcaktuar ende.

Në një dalje për mediat, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dha edhe arsyet e vendimit për anulimin e tenderit. “Ky vendim nuk ka lidhje me ekzistencën apo mungesën e fondeve. Ministria ka të drejtën të caktojë prioritetet për çështje emergjente që mund t’i dalin. Tani për tani flasim për një shtyrje të procesit, si pasojë e një projekti tjetër më emergjent. ARRSH-ja nuk bën vetëm rrugë të reja, por edhe rrugë apo ura që kanë nevojë për ndërhyrje si pasojë e emergjencave”, tha ministrja Balluku.

Në buxhetin e vitit 2019, qeveria kishte parashikuar 4.6 mln euro për financimin e aksit Kardhiq-Delvinë, i cili nëse do të realizohej do të shkurtonte me rreth 3 orë kohën e përshkimit të rrugës Tiranë-Sarandë.


Etiketimet

Berisha akuzon ambasadoren Kim se po mbështet ‘prokurime direkte’

Berisha mesazh për Kim: As për 100 vjet s’do gjejnë prova ndaj meje Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me demokratët e Patosit në 31-vjetorin e themelit të degës së Partisë Demokratike....

Në Shqipëri rregullimi i dhëmbëve është itinerar i një pakete turistike

Turizmi dentar po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Përveç shërbimeve dentare, pacientëve u ofrohen paketa të mirëfillta turistike nga klinikat dhe agjencitë...

Banorët e Kievit nuk i tremben luftës

Pronarët e bizneseve, shkrimtarët, por edhe qytetarët e thjeshtë në Kiev vijojnë të ndjekin rutinën e përditshme, pavarësisht kërcënimit për një pushtim rus. Për poetin...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER