Bundestagu gjerman i dha “dritën jeshile” qeverisë gjermane, që të votojë në tetor për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Për shkak të kushteve të vendosura ndaj vendit tonë, votimi në parlamentin gjerman për propozimin e lidhur me Shqipërinë mori 395 vota pro, 188 kundër dhe 16 abstenime, ndërsa ai për fqinjin lindor rezultoi me 465 pro, 122 kundër dhe 16 abstenime.
Në lidhje me vendimin e Bundestagut reagoi përmes rrjeteve sociale komisioneri evropian, Johannes Hahn, i cili do të ndryshojë portofol nga ai i Zgjerimit tek ai i Buxhetit dhe Administratës.
Në postimin e tij në Twitter, Hahn, e cilëson votimin si vendim thelbësor për stimulimin e Ballkanit Perëndimor dhe besueshmërinë e BE-së.
“Shumë i mirëpritur votimi i sotëm në Gjermani, në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Njohja e përparimit konkret është thelbësor për stimulimin e Ballkanit Perëndimor dhe besueshmërinë e BE-së”, shkroi Hahn.
[twitter_feed=https://twitter.com/JHahnEU/status/1177304187312443393]
Ndërkohë në Shqipëri, i pari dhe i vetmi ndër udhëheqësit e vendit që ka reaguar deri më tani është Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Falënderim i veçantë Bundestagut, veçanërisht grupit CDU-CSU për angazhimin e tyre serioz në mbështetje të integrimit të Shqipërisë! Tani, urgjent të punohet për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta”, shkroi presidenti Meta në Facebook.
Kreu i shtetit shqiptar vlerëson gjithashtu se, po të ishin dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve në kohë, Shqipëria do të kishte marrë një vendim pa kushte sikurse Maqedonia e Veriut. “Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare! Urime Maqedonisë së Veriut”, mbyll reagimin e tij Meta.
Vendimi përfundimtar është në duart e udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe pritet të merret në samitin që do të organizohet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel. Krerët e Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë dhe Kroacisë kanë shprehur tashmë mbështetjen e tyre gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilluar në Nju Jork.
Parlamenti gjerman voton pro hapjes me kushte të negociatave me Shqipërinë
CDU-CSU: “Po” me kushte, çeljes së negociatave për Shqipërinë