11-vjeçari Alvin Berisha është liruar nga kampi i refugjatëve ‘Al Hol’ në Siri dhe pritet t’i bashkohet sa më parë të atit, Afrim Berisha në Romë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i vendit Edi Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
“Alvini po kthehet në shtëpi”, ka shkruar më herët kryeministri.
Sipas Ramës, lirimi i 11- vjeçarit është mundësuar nga një operacion bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare, italiane dhe dy organizatave jo-fitimprurëse, “Gjysmë Hëna siriane” si dhe “Kryqi i Kuq”.
Alvini është transferuar drejt ambasadës italiane në Bejrut ku do të marrë dokumentat e nevojshme për të udhëtuar drejt Romës.
Mbi pesë vjet më parë, nëna e Alvinit braktisi familjen e saj në Itali dhe u nis drejt Sirisë bashkë me të birin për t’iu bashkuar ISIS-it.
Ajo, së bashku me fëmijët e saj të ardhur në jetë nga martesa me një nga luftëtarët e Shtetit Islamik, gjetën vdekjen për shkak të bombardimeve, duke e lënë Alvinin të vetëm në kampin e Al Haulit.
Kampi Al Haulit është nën kontrollin e forcave kurde dhe në të strehohen mbi 70 mijë të shpërngulur prej ish-territoreve të Shtetit Islamit, kryesisht nga Siria dhe Iraku.
Rreth vitit 2014, babai i tij humbi kontaktet me Alvinin por nuk reshti kurrë së kërkuari të birin.
Historia e Alvinit u bë publike në vitin 2016 nga emisioni italian “Le Iene”, kur Afrim Berisha i kërkoi atyre ta ndihmonin të gjenin djalin e tij.
Ngjarja bëri mjaft bujë dhe pas apelit të Le Iene, në kërkimin e Alvinit u përfshinë edhe kryeministri i Italisë Giuseppe Conte si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio.