Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar mbi gjendjen aktuale në kompaninë “Albpetrol. sh.a”, e cila prej kohësh, ka nisur një proces të thellë ristrukturimi, më synim nxjerrjen e saj nga problematikat financiare.
Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, MIE bën me dije se, ky proces është zhvilluar prej disa muajsh, në dialog të ngushtë me Sindikatën e re të Naftëtarëve, duke dakordësuar të gjitha kushtet e trajtimit të punonjësve që do të prekeshin nga ky ristrukturim.
Por, ky plan është vështirësuar për shkak të pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e çmimit të naftës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se në vlerësim të kësaj situate, në dialog edhe me përfaqësuesit e Sindikatës së punonjësve, ka bërë të mundur pezullimi e ristrukturimit, ndërsa i ka rekomanduar shoqërisë në fjalë të hartojë një rregull të brendshëm të nivelit të pagave.
Si rezultat i kësaj ndërhyrjeje, është hartuar një zgjidhje për punëtorët e kësaj shoqërie, të cilat konstatojnë në këto pika:
– Punonjësit e terrenit, të cilët kontribuojnë për prodhimin, pra naftëtarët dhe specialistët e tjerë, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtat të drejta në pagë.
-Asnjë punonjës i Albpetrol të mos humbasë vendin e punës deri në përfundim të situatës së pandemisë së COVID-19.
-Pezullohet procesi i ristrukturimit dhe të gjithë punonjësit e njoftuar më parë për ndërprerje të marrëdhënieve të punës do të paguhen me pagën e luftës deri në përfundim të periudhës së pandemisë së COVID-19.
– Reduktimi i pagës deri në 60% është bërë vetëm për administratën e shoqërisë, e cila ka pasur një nivel të lartë page.
MIE shprehet se do të vijojë të ndjekë me vëmendje ristrukturimin dhe forcimin e shoqërisë Albpetrol si dhe kujdesin social për punonjësit e saj.