Një raport i fundit i Freedom House, publikuar të mërkurën, ka vënë në dukje rënien e nivelit të demokracisë në Shqipëri, ndërsa paralajmëron se pandemia e Covid-19 mund të ndikojë edhe më shumë në këtë tregues.
Në raportin e përvitshëm “Vende në tranzicion”, i cili analizon 29 shtete, Freedom House vëren se gjatë vitit 2019 pati rënie të nivelit të demokracisë në disa prej vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, përfshirë këtu dhe Shqipërinë.
Sipas raportit 9 shtete (Kosova, Maqedonia e Veriut, Lituania, Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia, Ukraina dhe Uzbekistani) patën përparime të nivelit të demokracisë ndërsa 15 patën hapa prapa – mes tyre dallojnë Hungaria, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat në 10 vitet e fundit kanë zbritur nga demokraci në konsolidim në klasifikimin regjim hibrid.
Shqipëria ka patur rënie në treguesit e qeverisjes demokratike dhe zgjedhjeve të lira, ndërsa në këto tregues Kosova dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje, por zhvillimet e këtij viti mund të vënë në diskutim vazhdimësinë.
Argumenti kryesor për vlerësimet në rënie të treguesve të demokracisë cilësohet mungesa e konsensusit, prirja për bojkot, zgjedhjet jo të lira, apo dhe rënia e besueshmërisë te institucionet.
Shqipëria vlerësohet regjim hibrid, ose ndryshe demokraci në tranzicion. Ajo shënoi rënie në treguesit demokratik prej zhvillimeve që pati në vitin 2019, ku veçohen më së shumti djegia e mandateve parlamentare, zgjedhjet vendore pa praninë e opozitës, nisja e procesit të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta dhe përplasjet rreth emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti, Shqipëria është vlerësuar me 3.82 pikë – nga 3.89 që kishte për vitin 2018.
Për sa i përket Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ata janë vlerësuar për përmirësime në raport me median dhe arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.
Kosova, që gjithashtu vlerësohet regjim hibrid, ose demokraci në tranzicion, u vlerësua me 3.18 pikë – nga 3.11 që ishte vlerësuar për vitin 2018.
Megjithatë përplasja politike e dy muajve të fundit nën pandeminë e Covid-19 pritet të ndikojë shumë në treguesit e demokracisë së Kosovës gjatë vitit 2020.
Lexoni gjithashtu:
Raporti i “Freedom House” për demokracinë, Shqipëria humbet pikë, përmirësohen Kosova dhe RMV-ja