Pak çaste pas përfundimit të takimit në kryeministri, ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur detaje rreth bisedës së zhvilluar mes ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama.
Ambasada e SHBA-ve, me një shënim në “Facebook” njofton se, ambasadorja Kim gjatë bisedës me Ramën ka theksuar rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe si aspirante drejt BE-së.
Kryetemë tjetër e bisedës mes Ramës dhe ambasadores ka qenë arritja e një dakordësie mes palëve për Reformën Zgjedhore. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara shkruan se Yuri Kim do të takohet edhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua sot me Kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit. Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakortësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë. Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti”, thekson ambasada.
Lexoni gjithashtu:
Tensionet politike, ambasadorja e SHBA Yuri Kim takim me Ramën në kryeministri