Juristi Marash Logu analizoi për Euronews Albania projektligjin e qeverisë për t’i dhënë më shumë kompetenca policisë së shtetit, projektligj i cili është kundërshtuar nga prokuroria.
Logu i vlerësoi se ndryshimet e kërkuara janë të pajustifikuara dhe mund të cenojnë dhe të drejtat e njeriut.
Sipas projektligjit të propozuar më 6 shkurt, mazhoranca synon të krijojë Komitetin Kombëtar të Politikave për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit të Organizuar, i cili propozohet të drejtohet nga Ministri i Brendshëm dhe pjesë e tij të jenë edhe drejtuesit e Strukturës së Posaçme anti-Korrupsion (SPAK), Prokurori i Përgjithshëm dhe ministrat e Drejtësisë dhe Financave.
“Ky komitet, për mendimin tim është problematik sepse do kemi një strukturë që ka në varësi drejtuesin e SPAK-ut dhe Prokurorin e Përgjithshëm, duke vënë në diskutim qëllimin kryesor të reformës në drejtësi, që ishte pikërisht krijimi i pavarësisë së plotë të politikës dhe drejtuesve të prokurorisë,” – tha Logu, i cili kujtoi se edhe propozimi për përgjimet është problematik dhe cenon të drejtat e njeriut.
“Shqipëria ka kuadër të plotë ligjor se si mund të realizohen përgjimet dhe duket e pakuptimtë se cila ka qenë nevoja që t’i jepet e drejta për të përgjuar çdo drejtuesi vendor dhe qendror të policisë pa qenë nën kontrollin e prokurorisë dhe gjykatës,” – u shpreh Logu duke vënë në diskutim faktin se me këtë mund të ketë abuzime pasi mund të vihen në përgjim edhe funksionarë të lartë të shtetit.
Logu foli më tej edhe për praktikën e Kryeministrit Rama për t’i njoftuar vendimet e tij me rrjetet sociale përpara botimit të tyre në Fletore Zyrtare ndërsa masat kufizuese nën pandemi i cilësoi si shqetësuese.
Lexoni gjithashtu:
Nisma për përgjimet e Policisë së Shtetit, deputetja Xhina: Ky ligj ka nevojë për sqarim publik