Nisma e qeverisë për ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili i lejon kësaj të fundit të kryejë përgjime ambientale pa lejen e prokurorit ka ndeshur në kundërshtime edhe nga deputetë të mazhorancës.
Këtë nismë e ka kundërshtuar edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela me argumentin se bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale. Euronews Albania ka biseduar me deputeten e pavarur, Elena Xhina, e cila ka kundërshtuar në Komisionin e Sigurisë nismën e Policisë së Shtetit. Ajo tha se kjo nismë ka nevojë për një sqarim më të thellë publik, me qëllim të mos krijohen keqkuptime.
Ajo shtoi faktin se aktualisht përgjimet elektronike lejohen të kryhen, por kjo bëhet me lejen e prokurorit dhe jo nga drejtuesit e Policisë, siç pretendon ta bëjë nisma e re e qeverisë shqiptare. Deputetja Xhina tha se kjo nismë po konsultohet me aktorët të ndryshëm për të sjellë ligjin aty ku duhet, dhe që mos të ketë mbivendosje të kompetencave mes policisë dhe prokurorisë.
“Ky ligji me thënë të drejtën ka pasur nevojë për një sqarim të madh publik pasi disa aspekte të tij nuk janë kuptuar mirë. Përgjimet elektronike vazhdojnë e kryhen, por gjithmonë bëhen me lejen e prokurorit dhe kjo pjese e ligjit nuk është ndryshuar, por ka ngelur e paprekur. Sa i përket ndryshmeve të tjera që kërkohet të hiqet leja e prokurorit dhe kërkohet të veprohet me lejen e titullarit të Policisë, pikërisht këtu ka hasur në kundërshtime. Unë jam deputete e pavarur, por edhe deputetët e PS kanë insistuar që të ketë diskutime në këtë pjesë. Jemi duke u konsultuar me aktorë të tjerë për të sjellë ligjin aty ku duhet. Ky ligj vjen për t’i dhënë një dorë policisë për të hetuar krimin. Ky projektligj ka për qëllim parandalimin dhe jo hetimin”, tha ajo.