Partia Demokratike kërkoi të martën që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i heqë mandatin e kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malajt.
Përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se prokuroria ka vërtetuar denoncimet e 4 muajve më parë se Malaj kishte shkelur ligjin e dekriminalizimit.
“Pas 4 muajsh zvarritje, prokororia na ka dhënë të drejtë. Kryebashkiakut të paligjshëm të Matit duhet t’i hiqet mandati menjëherë. Ai është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin,” – thotë Bardhi teksa citon se për një dënim të tillë ligji i dekriminalizimit ia ndalon ushtrimin e funksioneve publike.
Në verifikimet e Prokurorisë, dokument i cili u bë publik nga zyra për shtyp e PD-së, thuhet se prokurori Sokol Stojani ka konstatuar vërtetësinë e dënimit me 10 muaj burg të Malajt më 7 tetor 1999 për armëmbajtje pa leje.
Më 17 janar opozita i kërkoi prokurorisë të hetonte kryebashkiakun e Matit Agron Malaj me pretendimin se në të shkuarën ishte dënuar me vendim të formës së prerë për armëmbajtje pa leje.
Prej korrikut të vitit 2019, PD ka denoncuar se të paktën 5 kryetarë socialistë të pushtetit vendor qenë kandiduar pavarësisht faktit se ata kishin të shkuar me probleme me ligjin.
Nga denoncimet e PD-së u vërtetua se kandidati për kryetar të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim dhe dëbim në Itali.
Kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku kishte fshehur identitetin e dytë si emigrant në Greqi, ku ishte ndaluar dhe hetuar për falsifikim parash.
PD ka denoncuar gjithashtu për fshehje dënimesh në Itali e Greqi të kryebashkiakëve të Vaut të Dejës dhe Mallakastrës, Mark Babani e Qerim Ismailaj.