Nënkryetari i CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johan Wadephul ka reaguar mbi nismën e mazhorancës dhe opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas Wadephul, ndryshimi në Kushtetutë për ndalimin e formimit të koalicioneve zgjedhore nga partitë përpara zgjedhjeve, asgjëson marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
“Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit. Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte, se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme reformën zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit”, shprehet zv. kryetari i grupit CDU/CSU.
Johan Wadephul thotë se në rast se një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë “kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Nënkryetari i CDU/CSU paralajmëron se, Gjermania e cila ka dhe presidencën e BE-së, “nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje”.
“Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni reformën zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj: mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë”, përfundon deklarata e z. Wadephul.
Lexoni gjithashtu:
Opozita e bashkuar: Kushtetuta dhe sistemi zgjedhor ndryshohen vetëm me referendum
Ndryshimi i Kushtetutës, Komisioni i Ligjeve miraton listat e hapura
ISP: Shqipëria, vendi i vetëm evropian që ndryshon Kushtetutën gjatë pandemisë