Burime për Euronews Albania bënë me dije se Partia Demokratike ka kundërshtuar nismën e socialistëve për ndryshime kushtetuese duke i qëndruar fort argumentit se ato zhbëjnë marrëveshjen e 5 qershorit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi akuzoi socialistët se kanë si qëllim të vetëm “rihapjen edhe njëherë për diskutim të përmbajtjes së marrëveshjes së 5 qershorit dhe ndryshimin e saj”.
“Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht,” – mësohet të ketë thënë Bardhi gjatë mbledhjes.
Demokratët këmbëngulin se çështjet e propozuara nga opozita parlamentare dhe socialistët bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshtruar në zbatim të marrëveshjes së 5 qershorit.
Ata kanë rikujtuar faktin se në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme.
Ky fakt, sipas demokratëve, konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 qershorit, ku specifikohet në shënimin Nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”.
Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 qershor “12. Hyrja në fuqi”: “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e radhës”.
Gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji, nga Pallati i Kongreseve raporton se mbledhja e Këshillit Politik është ndërprerë për pak minuta pushim dhe kjo është bërë pas kërkesës së kryeministrit, Edi Rama.
Lexoni gjithashtu:
Ndryshimet kushtetuese, mblidhet Këshilli Politik, i pranishëm edhe Rama
Nisma për ndryshime kushtetuese trazon klimën politike në Shqipëri
Sistemi zgjedhor, ndryshimet kushtetuese që kërkojnë socialistët dhe opozita parlamentare
Afrim Krasniqi: Ndërkombëtarët kundër, bëhen në devijim nga praktikat demokratike
Gazetari Renaldo Salianji: Presidenti s’mund t’i kthejë për rishqyrtim ndryshimet kushtetuese