Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) lëshoi të martën 22 urdhër-arreste për manipulimin e votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës.
Personat e arrestuar janë komisionerë të 3 qendrave të votimit në Shijak dhe Maminas.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë lejuar të votojnë persona të ndryshëm për qytetarë, të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri në atë kohë
SPAK sqaron se në total janë rreth 50 vota, të cilat janë futur në kuti në këtë formë. Mbi këta persona rëndon akuza e votimit më shumë se njëherë ose pa u identifikuar.
Për këtë çështje në prokurori u pyet edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe zyrtarë të tjerë lokal.
Nga 22 urdhër-arrestet e ekzekutuara, për 11 persona është caktuar masa e sigurisë arrest me burg, 8 arrest shtëpie dhe 3 detyrim paraqitje.
Pas këtij lajmi Kryeministri Edi Rama shkroi në Twitter se ky rast tregon domosdoshmërinë për depolitizimin e administratës zgjedhore, propozim i bërë nga socialsitët në diskutimet për reformimin e kodit zgjedhor, por që u hodh poshtë nga opozita. Kjo pretendoi se zëvendësimi i administratës zgjedhore me nëpunës publik mund ta politizojë më tepër administrimin.
“14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizimin, i ka duart e zhytura thellë në llum! Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar,që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: Depolitizimi!” – shtoi më tej Rama në Twitter.
“Dosja 339” lidhet me një hetim të gjatë rreth një grupi të trafikut të drogës, të cilit në tetor 2018 iu gjet dhe sekuestrua një laborator heroine në Has.
Grupi në fjalë, në të cilin bënin pjesë emra si Astrit e Ardit Avdylaj, Saimir Gjepali dhe Hajri Seferi u pikas në përgjime të fliste edhe për blerje dhe frikësim votuesish gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, kjo bëri të mundur që autoritetet të nisnin një hetim paralel edhe për manipulimet e zgjedhjeve.
Lexoni gjithashtu:
Banda e Avdylajve kërcënoi me jetë punonjësit e burgut 313-të