Ambasadorja amerikane në Shqipëri, znj. Yuri Kim i ka dërguar një letër liderëve të partive në Shqipëri, ku i kujton atyre para fushatës elektorale përgjegjësinë për integritetin e kandidatëve partiakë në zgjedhje.
“Më 22 korrik ne theksuam publikishit se kryetarët e partive kanë përgjegjësi për kandidatët që kandidojnë nën logon e partive të tyre. Ndërsa partia juaj përgatitet për fushatën elektorale, ju, si kryetari i partisë, duhet të siguroni përputhshmëri me ligjin shqiptar. Ne i inkurajojmë të gjithë partitë politike, që kandidatët e zgjedhur të kenë kaluar procesin e vetingut dhe të respektojnë votën e shqiptarëve. Edhe pse individi ka përgjegjësi për fshehjen e historisë kriminale, kryetarët e partive duhet të sigurojnë integritet dhe saktësi në deklarimin e personave që kërkojnë të marrin mandat nën grupimin partiak”, shkruhet në letrën e Kim.
Ambasadorja tërheq vëmendje në letrën e saj ndaj ligjit të dekriminalizimit, sipas së cilit nuk lejohet mbajtja e posteve publike nga persona të dënuar, ndjekur penalisht apo me rekorde kriminale.
“Ligji i dekriminalizimit vë në dukje se të gjithë personat e dënuar, të ndjekur penalisht apo me të shkuar kriminale në Shqipëri apo jashtë saj, nuk janë të denjë për t’u emëruar në pozicione publike, pra, nuk mund të zgjidhen nga qytetarët, apo t’u caktohen pozicione në administratën shtetërore, apo institucione të caktuara në Kushtetutë apo në akte të tjera ligjore. Çdo falsifikim apo dështim në zbulimin e tyre, mund të përbëjë një vepër kriminale, e cila mund të dënohet, në përputhje me legjislacionin kriminal. Ligji i dekriminalizimit ka çuar në dorëheqjen dhe shkarkimin e shumë deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, si dhe të tjerë personave që janë hetuar,” shkruan znj. Kim.
Sfera politike në Shqipëri ka parë përgjatë viteve ligjvënës në nivel qëndror dhe vendor të cilët janë akuzuar si persona me të shkuar kriminale.
“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të luftuar korrupsionin dhe mbështesin të gjithë personat që duan të ndalojnë zyrtarët e korruptuar të veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme dhe në pandëshkueshmëri,” kujton ambasadorja.
[
cite_header=Ju mund të luani një rol në këto përpjekje duke i mbajtur larg listave tuaja personat e korruptuar që dihen.
cite_author=Yuri Kim
cite_description=Ambasadore e SHBA
]
Përfaqësuesja e SHBA e përmbyll letrën e saj me premtimin e mbështetjes amerikane për Shqipërinë, si dhe angazhimin për mirëqeverisje, demokraci dhe një të ardhme më të mirë.