Kuvendi miratoi sot ngritjen e Komisionit Hetimor për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Opozita parlamentare akuzon maxhorancën për Këshillin Politik, asnjë nga anëtarët nuk firmosi për ndryshimet kushtetuese.
Kuvendi ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Votimit i sotëm shënon edhe rikthimin e Partisë Demokratike në Kuvend pas 20 muajsh nga vendimi për të djegur mandatet parlamentare, nëpërmjet një përfaqësuesi të posaçëm i cili do të jetë pjesë e vendimmarrjes në përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.
Por, ky vendim nuk kaloi pa akuza nga ana e opozitës parlamentare. Myslim Murrizi nga foltorja e Kuvendit akuzoi maxhorancën se kandidatët që po aspirojnë për KQZ e re janë sërish njerëz nga radhët e politikës duke i dhënë edhe një përgjigje mbledhjeve të këshillit politik për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Tridhjetë korriku vërtetoi të kundërtën e katër individëve, që dy janë të paligjshëm, dhe dy nuk kanë moral përderisa nuk janë firmëtarë për ndryshimet kushtetuese, për t’u mbledhur prapë ferrave dhe të bëjnë implementimin e ndryshimeve kushtetuese në Kod Zgjedhor”, u shpreh Murrizi.
Maxhoranca nga ana e saj nuk zgjodhi ti përgjigjet akuzave të opozitës në sallë por asaj jo parlamentare. Seanca e cila ishte e ulët për nga niveli i përfaqësimit politik ku Edi Rama mungoi për shkak të axhendës së vizitave jashtë vendit, rolin e kryesueses së debatit e mori Elisa Spiropali duke thënë se ndryshimet kushtetuese janë tashmë të pakthyeshme.
“Ne vijojmë të themi se ndryshimet kushtetuese kanë kaluar në Parlament dhe janë në fuqi. Thjesht këmbëngulin dhe nuk duan të shikojnë realitetin që ndryshimet kushtetuese kanë kaluar”, tha Spiropali.
Komisioni i votuar në Kuvend pritet të konstituohet në ditët në vijim ku nesër mbyllet edhe afati i lënë për personat që aspirojnë të jenë pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.