Në ditën e fundit të kandidimit për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar edhe dy kandidaturat potenciale për të marrë drejtimin e këtij institucionit pas rikompozimit që u bë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Konkretisht bëhet fjalë për Ilir Rusmalin dhe Ilirjan Celibashin të cilët janë depozituar kandidaturat e tyre.
Krahas kësaj, po ditën e sotme, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij për shkak se mandati do t’i ndërpritej në momentin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj.
Kuvendi miratoi dje ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KQZ. Komisioni i votuar në Kuvend pritet të konstituohet në ditët në vijim ndërsa sot është mbyllur afati i lënë për personat që aspirojnë të jenë pjesë e KQZ.
Sipas marrëveshjes së dakordësuar në Këshillin Politik, komisioni përzgjedhës do të përbëhet nga përfaqësues të shumicës socialiste dhe opozitës. Deputetët Alket Hyseni, Adnor Shameti e Damian Gjiknuri nga PS-ja, Edmond Stojku dhe Myslim Murrizi nga opozita parlamentare dhe Oerd Bylykbashi nga opozita e bashkuar.
Lexoni gjithashtu:
Mbi 20 kandidatë për 12 vendet vakante në KQZ, aplikimet vazhdojnë