Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së martës në zonën e Laprakës në kryeqytet ku një 25-vjeçar ka mbetur i vrarë nga policia pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar. Sipas policisë i riu po kryente disa lëvizje të dyshimta, dhe pas thirrjeve të vazhdueshme ka kërcënuar efektivin. Vetëm pak orë pas ngjarjes ky i fundit u arrestua me akuzën e “Vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 rreth 100 metra larg banesës së të riut. Sipas policisë 25-vjeçari është konstatuar nga punonjësit e repartit “Shqiponja” duke lëvizur në shkelje të orarit kufizues dhe thirrjes së tyre për të ndaluar, Klodian Rasha i është përgjigjur duke i drejtuar armën dhe më pas larguar me vrap.
I vënë përballë kësaj situate efektivi i policisë ka hapur zjarr duke qëlluar me dy plumba ndaj të riut i cili pasi është dërguar në spital ka ndërruar jetë. Pak orë pas ngjarjes uniformat blu kanë sekuestruar dhe armën e zjarrit tip pistoletë pak metra nga vendi ku u qëllua 25-vjeçari Rasha, me të cilën dyshohet se kanosi efektivin e policisë.
Klodian Rasha nuk ishte një emër i panjohur për policinë, më herët ai rezulton të jetë ketë qenë I dënuar për plagosje të lehtë me dashje si dhe në vitin 2016 për heqje të paligjshme të lirisë.
Megjithatë lidhur me ngjarjen xhaxhi i viktimës pretendon se Klodiani nuk kishte armë me vete dhe se dje kishte dalë për të konsumuar një kafe, ndonëse në atë orar i gjithë vendi është në izolim. Gjithashtu ai shton se i nipi ka vuajtur nga probleme nervore për të cilën ka qenë dhe i shtruar në spital.
Për zbardhjen e ngjarjes krahas prokurorisë së Tiranës nisi një hetim nga shërbimi i çështjeve të brendshme në ministrinë e brendshme. Pas analizimit të pamjeve filmike ne zonë dhe analizimit të veprimeve të ndërmarra nga efektivi u bë arrestimi me akuzën e “Vrasjes në kushtet e kapërcimit të mbrojtjes së nevojshme” për të cilën parashikohet deri në 7 vite burg.
Nga hetimet paraprake dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Ligji parashikon se përdorimi i armës së zjarrit nga punonjësit e policisë vjen pas 2 paralajmërimesh. Pas kësaj efektivi ka të drejtë të qëlloje njëherë në ajër dhe nëse as ky paralajmërim nuk merret parasysh, ai hap zjarr në drejtim të objektivit. Në rrethanat kur paralajmërimi është i pamundur dhe rreziku është i lartë, qëllohet pa paralajmërim, duke synuar gjithnjë në pjesët e poshtme të trupit.