Turqia dhe Shqipëria janë vendet ku ka më shumë ligje me porosi. Në raportin e Transparency International për kapjen e shtetit, jepen shembuj si ligji për lojërat e fatit apo propozimi për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren si raste të ligjeve me porosi, ndërsa si një prej shkaqeve për këtë situatë, citohet gjendja e parlamentit shqiptar.
Vendet ku ka më së shumti ligje me porosi sipas Transparency International janë Turqia dhe Shqipëria. Në raportin për kapjen e shtetit të publikuar më 15 dhjetor, një prej shembujve të paraqitur është ligji për lojërat e fatit. I iniciuar për të larguar pikat e basteve nga qendrat e banuara, për t’i taksuar më shumë dhe për t’i limituar, në fund nuk rezultoi kështu. 24 orë përpara miratimit, dy deputetë socialistë dhe një i Lëvizjes Socialiste për Integrim paraqitën amendamente, ku në vend që të limitohej numri i tyre, u përhap në mënyrë domethënëse.
Përveç kësaj, taksat u ulën nga 25 në 15%, u dyfishua limiti nga 500 në 1000 dhe u ul distanca nga 200 në 100 metër nga njëra-tjetra.
Në raport thuhet gjithashtu se ky ligj jo vetëm që rriti përfitimet e kompanive por edhe lehtësoi pastrimin e parave, ku sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, lojërat e fatit ishin metoda për të fshehur të ardhurat e paligjshme në Shqipëri.
Po ashtu shembull për ligjet e bëra të porositura, merret edhe propozimi i pakërkuar për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren.
Kompania,sipas Transparency International, është e lidhur ngushtë me qeverinë socialiste dhe kjo lidhje e bën këtë marrëveshje problematike.
Ndikim për këtë situatë sipas raportit ka pasur edhe gjendja e parlamentit shqiptar. Me një kontroll të fortë qeveritar dhe një parlament të dobët, sigurohet marrja e vendimeve për të dobësuar kontrollin dhe balancimin e pushteteve dhe i hapin rrugë miratimit të ligjeve të porositura nga një grup i vogël njerëzish.