Kryeministri Edi Rama në konferencën e përjavshme me gazetarët, “Ekonomia në Fokus”, u shpreh se më në fund është vënë në punë linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.
“Pas 7 vitesh e 2 muaj mund të themi me plot gojë që kemi hyrë në një fazë të re dhe kemi hapur rrugën e një transformimi rrënjësor që vazhdon. Nuk dua të zgjatem me shtjellimin e të dhënave në këtë fushë të rëndësishme, por dua të vë theksin në disa pika kyçe, pastaj ministrja do të bëjë një shtjellim të plotë. Më lejoni të sjell në vëmendje tuaj, aktualisht jemi në kantier, për projektin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri dhe RMV dhe sapo më në fund kemi vënë në punë linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi im, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme aq edhe qesharake për vite të tëra gjatë qeverisjes së mëparshme. Pastaj i bllokuar për disa vite nga vetoja e Serbisë, që e hoqi as më shumë dhe as më pak por shengeni rajonal”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për hidrocentralin e Skavicës, për të cilin u shpreh: “Një tjetër pikë e rëndësishme ishte dhe nënshkrimi i marrëveshjes me SHBA-në për Skavicën duke mos çuar dëm asnjë pikë uji për energjinë elektrike duke e kthyer Shqipërinë në eksportuese të kësaj energjie. Është futur në fazën e parë”.
Po kështu, gjatë fjalës së tij komentoi edhe vizitën e presidentes në detyrë në Kosovë, Vjosa Osmani për të cilën u shpreh se erdhi në Tiranë bëri propagandë për të fituar vota në Kosovë.
Lexoni gjithashtu:
Rama sulmon Vjosa Osmanin: Bëri propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë