Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli Tire Alldervishin, sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, e cila akuzohet për mashtrim.
Gjatë seanës Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për sanitaren dhe më pas gjyqtarja Rexhina Merlika miratoi këtë masë.
Prokurori Bledar Valikaj deklaroi se ka dyshime se kemi të bëjmë me një skemë zhvatjeje ndaj pacientëve me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Ka kërkuar fillimisht 2 mijë lekë vetëm për të futur telefonin, Tirja i jepte kallëzueses edhe një liste me ilaçe që duhet të blinte për kurimin e nënës së saj. Sanitarja Alldervishi në momente të caktuara ka kërkuar edhe 7 mijë lek, madje i cilësonte pak. Po hetojmë nëse kemi të bëjmë me një skemë zhvatjeje ndaj të sëmurëve me COVID- 19″, tha prokurori Bledar Valikaj.
Prokurori Valikaj u shpreh se do të sekuestrohen disa kartela shëndetësore në këtë spital.
“Në funksion të hetimeve do sekuestrojmë në vijim kartelat shëndetësore tek “Shefqet Ndroqi”, u shpreh ai më tej.
Edhe gjyqtarja Rexhina Merlika i ka kërkuar organit të akuzës të hetojë mbi këtë bazë për të nxjerrë para përgjegjësisë personat e tjerë që mund të fshihen pas sanitares së arrestuar.
Tire Alldervishi u arrestua një ditë më parë, pasi hiqej si infermiere dhe akuzohet se në muajin dhjetor i ka marrë 30-vjeçares Elkiena Sinanaj, ryshfet prej 8 milionë lekë për kurimin e nënës së saj në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Ministrja e Shëndetësisë reagoi mbrëmjen e së martës duke dënuar publikisht rastin.
Ministrja Ogerta Manastirliu tha se për veprimin e paligjshëm dhe korruptiv i ka kërkuar drejtorisë së spitalit shkarkimin nga detyra të sanitares.
Lexoni gjithashtu:
Arrestimi i sanitares, prokuroria nis hetim të thelluar nëse ka skemë përfitimi