Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim firmosën sot marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 25 prillit.
Në fjalën e tij me këtë rast kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se sot nis udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë.
Z. Basha bëri thirrje për bashkim të të gjithëve në mënyrë që të garantohet fitorja e zgjedhjeve të 25 prillit, që siç tha do të sjellë fitoren e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Njerëzit tanë janë të fortë. Shqiptarët janë të fortë. Shqipëria është e fortë dhe plot me mundësi por, Shqipëria meriton një qeverisje të mirë. Një qeverisje që kujdeset për ju në vend që të kujdeset për veten e saj.
Ndaj gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet. Për ekonominë, për arsimin, për shëndetësinë, për turizmin, për luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, për kthimin e të rinjve në vend dhe ndaljen e katastrofës kombëtare të emigracionit, për integrimin Europian të Shqipërisë.
Pra në çdo drejtim, me anë të së cilit fiton çdo shqiptar, fiton Shqipëria. Këto nuk janë premtime boshe nga ato që bën përsëri kryeministri në ikje. Këto janë plane pune që do të ndryshojnë jetën e secilit prej jush”, tha kryedemokrati.
Lexoni gjithashtu:
”Shqipëria, shtëpia që fiton”, Basha dhe Kryemadhi firmosin marrëveshjen për koalicionin paszgjedhor